Vashat e Kosovës shkëlqejnë në duel me Estoninë
Kombëtarja e Kosovës U16 në konkurrencën e femrave ka realizuar fitoren e dytë në turneun zhvillimor të UEFA-s, që po mbahet në Estoni. Pas fitores kundër Letonisë, 2:0, vashat e drejtuara nga përzgjedhësi Kushtrim Munishi kanë pasur paraqitje të shkëlqyeshme në duel me ekipin nikoqir të këtij turneu, Estoninë, duke e mposhtur me rezultat 9:1.
Qysh në minutën e parë ‘Dardanet’ e reja kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Fortesa Berisha, derisa vetëm dy minuta më vonë epërsia u shtua në 2:0 me supergolin e Alketa Ramës. E njëjta futbolliste shënoi në minutën e 21-të për 3:0, kurse në dy minutat në vazhdim Fortesa Berisha ‘bombardoi’ edhe dy herë tjera portën estone për rezultatin 5:0, derisa Njomza Osmani shënoi në minutën e 38-të për 6:0.
Me ritëm po thuajse të njëjtë vashat e Kosovës e vazhduan edhe pjesën e dytë, duke shënuar edhe tre gola tjerë nëpërmjet Loreta Lulajt (44’), Albulena Gurit (75’) dhe Njomza Osmanit (79’), derisa golin e vetëm për estonet e shënoi Merly Käblik, në minutën e 54-t.
Pas kësaj fitoreje, përzgjedhësi Munishi është shprehur i lumtur me paraqitjen e ekipit. “Falënderoj vajzat për angazhim maksimal. Që nga fillimi i ndeshjes e kemi mbizotëruar plotësisht kundërshtarin dhe kemi arritur të jemi shumë efikas në fazën e sulmit. Gjatë tërë 80 minutave intensiteti i lojës ka qenë në nivelin e duhur dhe kjo është ajo çfarë më gëzon më shumë. Vajzat po e shfaqin potencialin e tyre dhe kanë dhënë shembull se si luhet futbolli. Shihet qartë se jemi në rrugën e duhur, prandaj duhet punë e vazhdueshme për të arritur suksese edhe më të mëdha”, ka theksuar Munishi.
Kosova ndeshjen e fundit në kuadër të këtij turneu e zhvillon më 2 maj kundër Lihtenshtajnit dhe fitorja në këtë takim do t’ia siguronte pozitën e parë në këtë turne.