Vatikani dezinfekton bazilikën

15 maj 2020 | 15:14

Vatikani po bëhet gati të kalojë në fazën e dytë të mobilizimit kundër pandemisë së koronavirusit.

Thuajse çdo centimetër i ambienteve të brendshme të bazilikës së Shën-Pjetrit u dezinfektua të premten për t’i paraprirë valës së besimtarëve të devotshëm që pritet ta vizitojnë duke nisur nga dita e hënë.

Selia e Shenjtë ka njoftuar se në koordinim me autoritetet italiane, në kishat e vendit do të rifillojnë kremtimet fetare.

Mesha e parë e javës së ardhshme pritet të mbahet në mëngjes nga Papa Françesku, me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së Shenjtit Gjon Pali i Dytë.

Me këtë rast do shënohet edhe fundi i meshave që kreu i Kishës Katolike ka përcjellë nga interneti.

Oborri i shenjtë qëndron i izoluar prej 10 marsit dhe ka konfirmuar 12 raste me kovid, pa pasoja për jetën.

Autoritetet paralajmërojnë se besimtarët para se të hyjnë në katër bazilikat papnore do të duhet t’i nënshtrohen matjes së temperaturës si masë paraprake kundër përhapjes së koronavirusit.

Fluksi i personave do kontrollohet nga vullnetarët ndërsa ambientet e brendshme në këtë fazë fillestare nuk do të jenë të hapura për turistët.

Me vendim qeverie dhe të krerëve katolikë, edhe Italia do të rihapë të hënën kishat në territorin e saj.

Masat strikte përfshijnë kufizimin e numrit të personave, distancën 1 metra larg tjetrit dhe mbajtjen e detyrueshme të maskave gjatë shërbesave.

 

/Ora News.tv/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e…