Vatikani: Papa s’ka thënë se nuk ekziston ferri
30 mars 2018
| 17:48
Vatikani ka mohuar se Papa Françesku i ka thënë një gazetari të njohur italian se “nuk ka ferr”.
Citimi është bërë në një artikull në gazetën e përditshme të Italisë, “La Repubblica”.
Por, Vatikani ka thënë se asnjë citat në artikull nuk duhet të konsiderohet si transkriptim i besueshëm i fjalëve të Papës.
Sipas Vatikanit, artikulli është bazuar në një takim privat që Papa ka pasur me themeluesin e gazetës, Eugenio Scalfari.
Doktrina e Kishës Katolike e afirmon ekzistencën e ferrit dhe përjetësinë e tij, raporton “Rel”.
Sipas kësaj doktrine, shpirtrat e mëkatarëve zbresin në ferr, ku vuajnë “zjarr të përjetshëm”.