
“VATRA” kërkon ndërhyrje nga Begaj dhe Osmani për mbrojtjen e shqiptarëve në Ulqin
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” i ka drejtuar një letër zyrtare Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për të kërkuar reagim institucional lidhur me zhvillimet e fundit në qytetin e Ulqinit, në Mal të Zi.
Në thelb të shqetësimit të organizatës më të vjetër të diasporës shqiptare në SHBA është një marrëveshje e diskutueshme për dhënien me qira, për një periudhë afatgjatë, të një pjese të konsiderueshme të Plazhit të Madh në Ulqin kompanisë “Eagle Hills Montenegro” – një subjekt privat i regjistruar në Mal të Zi vetëm gjatë këtij viti, me kapital minimal.
Sipas “VATRA”-s, kjo marrëveshje është zhvilluar në mungesë transparence dhe ka ngritur shqetësime serioze brenda komunitetit shqiptar në Ulqin, por edhe në nivele të larta shtetërore të Malit të Zi, përfshirë reagimin e Presidentit Jakov Milatoviq.
“Ulqini nuk është vetëm një qytet simbolik për shqiptarët në Mal të Zi, por një hapësirë me rëndësi historike, kulturore dhe ekonomike për të gjithë rajonin”, thuhet në letrën e nënshkruar nga kreu i Federatës “VATRA”, Dr. Elmi Berisha.
Organizata u bën thirrje liderëve të Shqipërisë dhe Kosovës që të ndjekin me vëmendje këtë zhvillim dhe të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e komunitetit autokton shqiptar në Ulqin.
“Çdo vendimmarrje që prek komunitetin shqiptar duhet të jetë në përputhje me ligjin, transparencën dhe vullnetin e qytetarëve të Ulqinit”, thekson Federata, duke paralajmëruar se çështja tashmë është në fokus të institucioneve relevante në SHBA dhe do të ndiqet deri në fund.
Në përmbyllje të letrës, “VATRA” nënvizon rëndësinë që investimet dhe zhvillimi në rajon të mos bëhen në dëm të interesave të banorëve autoktonë shqiptarë dhe trashëgimisë së tyre mjedisore e kulturore.