Vazhdimi i kampionatit nuk varet nga FFK-ja
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) e ka pranuar se nuk varet nga ajo vazhdimi i garave. Futbolli dhe gjitha sportet në Kosovë janë pezulluar shkaku i koronavirusit.
Të mërkurën Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur takimin e radhës.
“KE diskutoi për rifillimin e garave, kur të lejohen me ligj nga shteti, duke qenë ithtar që garat të përmbyllen në kohë të rregullt. Por, gjithsesi është e kuptueshme që për këtë nuk vendos FFK-ja, për shkak të gjendjes në të cilën gjendet Kosova, por vendosin organet shtetërore. KE edhe pse është për rifillimin e garave dhe përfundimin e tyre, do të ndjekë me kujdes situatën dhe në rast se gjendje rëndohet dhe vjen deri te vendimi për ndërprerje të garave, atëherë FFK-ja do të ndjek me përpikmëri udhëzimet e UEFA-s”, është thënë në njoftim të FFK-së.
Po ashtu është thënë se do të ndihmojë klubet që janë në vështirësi financiare.
“Duke parë gjendjen e vështirë me të cilën po përballen klubet e futbollit, KE ka marrë vendim që nga mjetet e veta duke rrezikuar edhe projektet e saj, të ndihmojë të gjitha klubet, për të zbutur sado pak hallet e tyre. KE E bën të qartë për të gjithë që këto mjete janë ekzistenciale. KE Do të ndjekë me kujdes gjendjen në klube dhe do të jetë në vazhdimësi në kontakt me UEFA-n dhe FIFA-n dhe për çdo gjë opinioni do të njoftohet nëpërmjet komunikatave. FFK-ja do të vazhdojë të punojë online nga shtëpia dhe për këtë nuk mund të realizojë takime me askënd përderisa të mbretërojë kjo gjendje”, është thënë në komunikatën.