Vazhdimi i Luftës në Ukrainë rrezikon destabilizimin e Perëndimit
Nga Gideon Rachman
“Financial Times”
Në aleancën perëndimore ekziston një besim në rritje mbi trajektoren e luftës në Ukrainë.
Ky besim është i justifikuar, por potencialisht i rrezikshëm. Është e dukshme që për Rusinëpushtimi ka shkuar shumë më keq, sesa guxuan të shpresonin shumica e njerëzve në Perëndim.
Aleatët perëndimorë kanë befasuar edhe veten e tyre me forcën, shpejtësinë dhe unitetin e kundërpërgjigjes së tyre, me sanksionet e pashembullta të vendosura ndaj Rusisë, dhe me ndihmën e madhe ushtarake që kanë dhënë për Ukrainën.
Optimizmi i madh në Uashington dhe në pjesë të Evropës, u reflektua qartazi në deklaratën kontroverse të Joe Biden se udhëheqësi rus Vladimir Putin “nuk mund të qëndrojë më në pushtet”. Supozohet gjerësisht se presidenti amerikan se ka folur në një mënyrë të pamenduar, dhe se ndihmësit e tij u detyruan ta përgënjeshtronin me shpejtësi.
Por komentet e tij pasqyrojnë ndjenjën që dominon aktualisht në Uashington, se një formë e “ndryshimit të regjimit” në Rusi është edhe e imagjinueshme edhe e dëshirueshme. Në fakt, pozita e brendshme dhe ajo ndërkombëtare e Putinit, duket shumë me e lëkundur se përpara pushtimit.
Por nga ana tjetër realiteti më pak i diskutuar, është se lufta paraqet ndërkohë edhe rreziqe politike të mëdha dhe në rritje për qeveritë në Perëndim. Ekziston ende rreziku që Rusia tavazhdojë luftën për shumë muaj, me një numër në rritje të vdekjeve dhe shkatërrimit të infrastrukturës.
Ndërkohë, efektet e shkëputjes së marrëdhënieve ekonomike me Moskës, do të fillojnë të bëhen shumë më akute në Evropë, në formën e rritjes së çmimeve, mungesës së energjisë, humbjes së vendeve të punës, dhe ndikimit social gjatë përpjekjes për të menaxhuar deri në 10 milionë refugjatë ukrainas.
Amerika është më pak e ekspozuar ekonomikisht se sa Evropa ndaj këtyre efekteve. Por lufta filloi me inflacionin tashmë në nivele të larta në SHBA, dhe me një popullaritet në rënie tëJoe Biden. Tani po rritet çmimi i benzinës, dhe kjo gjë pritet gjithmonë keq nga votuesit amerikanë.
Ndërkohë, faturat e energjisë për konsumatorët dhe bizneset në Evropë, po rriteshin ndjeshëm edhe para luftës. Tani ato do të rriten shumë më tepër. Në Britaninë e Madhe, familjet mund të shohin një rritje prej 50 për qind të faturave të energjisë për muajin prill, e pasuar nga një rritje tjetër prej 50 për qind në muajin pasardhës.
Objektivi i Bashkimit Evropian për ta reduktuar me 2/3 varësinë nga gazi rus deri në fund të këtij vitit, cilësohet nga disa ekspertë si një përgjigje shumë e dobët, pasi kjo do të thotë se Rusia do të vazhdojë të marrë miliarda euro në javë të ardhura nga eksportet e saj.
Por në një konferencë javën e kaluar, tregtarët paralajmëruan se edhe ai reduktim i sasisë së blerjeve, do të jetë shumë i vështirë të arrihet brenda këtij viti. Disa besojnë se mungesa e naftës ruse, mund të çojë në racionimin e karburantit në Evropë gjatë këtij viti.
Edhe çmimet e ushqimeve ka të ngjarë të rriten, duke reflektuar rëndësinë që kanë Ukrainadhe Rusia për tregjet globale të grurit dhe plehrave. Rrjedhimisht, do të rritet numri i evropianëve që i përdorin mensat sociale, apo që do të kërkojnë ndihmë urgjente.
Ndërkohë, në Lindjen e Mesme, ku qeveritë kanë më pak burime për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të ushqimit, mund të ketë një rritje të madhe të urisë. Kjo nga ana tjetër, mund të çojë në një rritje të re të numrit të njerëzve të dëshpëruar që do të përpiqen të migrojnë drejt Evropës.
Qeveritë në Evropë, që tashmë e kanë shumë të vështirë të përballojnë fluksin e miliona ukrainasve, mund të përballen së shpejti me shumë më tepër emigrantë të mundshëm nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Përgjigja publike ndaj këtyre zhvillimeve në Evropë dhe SHBA,ka të ngjarë të jetë e paqëndrueshme dhe kontradiktore.
Fokusi aktual mbi Ukrainën në media ndoshta do të zbehet, pasi lufta e humbet vlerën e saj tronditëse. Deri në vjeshtë, kriza ekonomike mund ta dominojë politikën. Kjo do të siguronte një terren pjellor për një ringjallje të populistëve si Donald Trump në SHBA, Marine Le Pennë Francë apo Matteo Salvini në Itali, të cilët duhet se kanë qenë në të kaluarën fansa të njohur të Putinit.
Sigurisht, presioni ekonomik ndaj Rusisë do të jetë shumë më i madh. Por Putini drejton një diktaturë. Dhe udhëheqësit e demokracive perëndimore duhet të shqetësohen për votuesit e tyre. Ata e dinë se historikisht shumë pak qeveri mund t’i mbijetojnë stagflacionit dhe krizës shoqëruese të kostos së jetesës.
Ndërsa rritet presioni ekonomik, mund të thyhet edhe uniteti perëndimor aktual, gjë që mund të sjellë presione kontradiktore mbi liderët politikë. Më shumë shkatërrime në Ukrainë, sirrafshimi i Mariupolit, do të shkaktojnë kërkesa të reja për një përgjigje edhe më të ashpër të Perëndimit, deri në ndërhyrjen e drejtpërdrejtë ushtarake në këtë konflikt.
Njëkohësisht, do të ketë një riaktivizim të “atyre që e mirëkuptojnë Putinin”:një fraksion i opinionit perëndimor (veçanërisht atij gjerman) që për momentin ka rënë kryesisht në heshtje. Ata do të kërkojnë t’i jepet fund konfliktit, edhe nëse kjo nënkupton tërheqjen e mbështetjes për Ukrainën dhe bërjen e lëshimeve ndaj Rusisë, që aktualisht duken të papranueshme.
Ky tension ka nisur të shfaqet që tani midis perëndimorëve. Presidenti francez EmmanuelMacron, e ka kritikuar publikisht homologun amerikan Joe Biden, duke u kërkuar liderëve perëndimorë të shmangin retorikën përshkallëzuese, e cila e bën të pamundur rivendosjen e paqes në Ukrainë.
Por Macron mund të jetë duke shpresuar më shumë ssa duhet tek perspektivat e negociatave për paqe. Pavarësisht titujve bombastikë në mediave rreth bisedimeve të paqes në Turqi, të dyja palët mbeten ende shumë larg njëra-tjetrës. Ka pak prova reale se Putini është i përgatitur të pranojë çdo gjë tjetër përveç fitores që i ka premtuar Rusisë.
Një luftë e gjatë do ta shtojë presionin politik dhe ekonomik mbi qeveritë perëndimore. Kërkesa e presidentit amerikan Joe Biden për largimin nga pushteti të Vladimir Putinit, mund të ketë qenë jo–diplomatike.
Por ai ka me siguri të drejtë, kur sugjeron se marrëdhëniet normale midis Rusisë dhe Perëndimit janë të pakonceptueshme, nëse Putini do të vijojë të mbetet në krye të Kremlinit. Ndryshimi i regjimit në Rusi mund të jetë i nevojshëm, edhe për të shmangur trazirat politike në Perëndim.