Programeve ekzistuese u vazhdohet akreditimi edhe për një vit
Agjencia e Akreditimit e Kosovës ka vendosur të zgjasë edhe për një vit të gjitha akreditimet e programeve ekzistuese, ndërsa nuk do të bëhet akreditimi i programeve të reja për këtë vit.
Ky vendim është marrë për të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik e privat.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pasur në proces të akreditimit dhe të riakreditimit 103 programe, ku shtatë prej tyre janë programe të reja studimi.
Për shkak të rrethanave që janë krijuar në mungesë të funksionalizimit të Bordit të Agjencisë së Akreditimit, ka qenë e pamundur që për një afat të shkurtë kohor të bëhet vlerësimi i programeve të institucioneve të arsimit të lartë, të cilat kanë qenë në proces të ri-akreditimit apo të akreditimit.
Kryetari i këtij bordi, Gazmend Luboteni, ka thënë për “Radio Kosovën” se numri i kërkesave për akreditim institucional, akreditim të programeve të reja dhe riakreditim të programeve ekzistuese, ka qenë shumë i madh dhe nuk ishte e mundur të shqyrtohen të gjitha. Për këtë arsye, ai ka thënë se është marrë vendimi që të bëhet shtyrja e këtij procesi për një vit.
“Për shkak se procesi i vlerësimit merr kohë, ndërsa ne jemi në një fazë që nuk kemi kohë të thërrasim ekipet e ekspertëve që vijnë nga jashtë për të bërë vlerësimin dhe të vizitojnë institucionet, ne kemi marrë vendim, që parashihet me rregullore në situata të jashtëzakonshme siç ka qenë kjo e jona, që të bëhet shtyrja e akreditimit për një vit. Kështu që, për programet ekzistuese dhe për ato në ri-akreditim, ne kemi vendosur njëjtë për të gjitha institucionet, qoftë publike apo private, që t’u shtyhet për një vit”, ka thënë Luboteni.
Ndërkohë, për këtë vit akademik nuk do të bëhet akreditimi i asnjë programi të ri studimi.
Institucioni i arsimit të lartë më i madhi në vend, Universiteti i Prishtinës, ka pasur në proces të akreditimit dhe riakreditimit 103 programe, ku shtatë prej tyre janë programe të reja studimi.
Prorektori për mësimdhënie në Universitetin e Prishtinës, Hysen Bytyqi, ka thënë për “Radio Kosovën” se për këtë vit janë bërë përgatitjet edhe për akreditim institucional për të gjithë Universitetin, i cili gjithashtu është shtyrë për një vit.
“Disa nga programet, ku numri i tyre është shtatë e disa kanë qenë në proces të pritjes që të caktohen ekipet që do të duhej të vinin dhe mandej bazuar në vlerësimin të merret vendimi përfundimtar, dhe prej disa prej tyre realisht kemi pritur të startojmë në tetor dhe kjo na pengon pak neve si Universitet. Tani programet të cilat vetëm i kemi pasur në planifikim për akreditim që t’i vendosim në pozicionin e aplikimit, ndoshta na duhet kohë për shkak se ata e kanë shtyrë këtë proces”, ka thënë Bytyqi.
Bordi i Agjencisë së Akreditimit, tashmë do të vazhdojë me procedura të tjera, ku do të shqyrtojë të gjitha aplikimet nga institucionet e arsimit të lartë në vend, publik e privat, dhe brenda një viti do të bëhet vlerësimi i tyre. Gjithashtu, do të ftohen edhe ekspertët ndërkombëtarë, të cilët do të vizitojnë këto institucione.