Vazhdojnë demonstratat në Irak, 400 të vdekur deri tani
Në Irak protestuesit kanë djegur goma në tre ura të qytetit jugor të Nasiriyah-it të shtunën, pavarësisht njoftimit të kryeministrit se do të dorëhiqet.
Njoftimi i Adil Abdul-Mahdi-t të premten ka ardhur pasi kleriku i lartë shiit në Irak ka bërë thirrje për ndryshim të udhëheqjes në vend.
Vendimi është pritur me festime në sheshin Tahrir të Bagdadit, megjithatë demonstruesit kanë thënë se do të vazhdojnë të mblidhen në shesh.
Parlamenti i Irakut pritet të zhvillojë një seancë urgjente të dielën për të diskutuar rreth krizës. Të paktën 400 vetë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur prej fillimit të protestave antiqeveritare më 1 tetor.
Demonstruesit janë duke kërkuar t’i japin fund korrupsionit qeveritar dhe asaj që ata e quajnë si ndikimin në rritje të Iranit në çështjet e brendshme.