Vazhdojnë grevën minatorët e “Trepçës”, megjithëse sot u është premtuar se do t’i marrin pagat

12 mars 2020 | 09:17

Minatorët e Kombinatit metalurgjik “Trepça”, edhe sot janë duke e vazhduar grevën për shkak se ende nuk i kanë marr pagat e plota për muajt janar dhe shkurt.

Me gjithë premtimet e Ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Investimeve strategjike Ndërmarrsisë dhe Industrisë, Roza Hajdari, ata kanë vendosur që mos t’ia fillojnë punës në Minierën e Stantërgut në prodhim.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Epoka e re”, Gani Osmani nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Sipas tij, hyrja në grevë ka ardhur si pasojë e mosmarrjes së pagave të plota.

Ai ka thënë se përfaqësuesi i tyre dhe bordi i ri mbikëqyrës kanë marrë premtime nga ministrja Hajdari se sot do t’i marrin pagat, por sipas tij, derisa t’i marrin pagat e plota nuk do t’ia fillojnë punës.

“Mbrëmë ka qenë përfaqësuesi i sindikatës dhe bordi i ri në takim me ministren Hajdari dhe na kanë thënë që sot do t’i marrim pagat, porse pa e marr pagën e plotë dhe njoftimin nga banka se kanë dalë mjetet, ne s’mund t’ia fillojmë punës”, ka thënë Osmani.

/Epoka e re/ Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eshtë regjistruar edhe viktima e parë nga koronavirusi në Greqi.…