Vazhdojnë inspektimet për zbatimin e masave anti-Covid në Gjakovë
20 maj 2021
| 21:32
Drejtori për Punë Inspektuese në Gjakovë, Fazli Hoxha, ka bërë me dije se Inspektorët sanitarë kanë vazhduar edhe sonte inspektimin në lokalet afariste dhe në qendrat tregtare në Gjakovë, për të parë nga afër se sa po respektohen masat anti-Covid.
“Aksioni i inspektimeve do të vazhdojë deri në orët e vona, dhe po ashtu do të vazhdojë edhe ditëve dhe netëve tjera për t’iu bërë me dije bizneseve se inspektorët do të jenë të pranishëm në çdo kohë për të përcjell zbatimin e masave anti-Covid”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se Drejtoria për Punë Inspektuese do të jetë në shërbim dhe në mbrojtje të qytetarëve.
“Respektoni masat anti-Covid, ruajeni shëndetin dhe jetën”, ka shkruar Hoxha.