Vazhdojnë kërkimet për policët e humbur
Derisa dje kanë përfunduar pa sukses kërkimet për gjetjen e dy policëve të Kosovës, sot ato do të vazhdojnë me shpresë se do të zbardhet fati i tyre.
Malsor Shemsedin Dashi dhe Armend Mifail Trena janë zhdukur që nga mbrëmja e së shtunës në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik.
Policia e Kosovës thotë se për shkaqe ende të panjohura, vetura në të cilën gjendeshin dy policët kishte humbur kontrollin dhe kishte dalë nga rruga, duke rënë nga një lartësi në rrjedhën e lumit Lepenc.
Vetura është nxjerrë nga lumi, ndërkohë që dje gjatë ditës janë bërë kërkime nga FSK-ja, njësitë për kërkim-shpëtim dhe banorët e komunave Hani i Elezit dhe Kaçanik.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se do t’i telefonojë edhe homologut të tij maqedonas, Zoran Zaev për të vazhduar kërkimet edhe në anën e territorit të Maqedonisë, ndonëse kanë mbetur edhe dy kilometra për të vazhduar kërkimet brenda Kosovë.