Vazhdojnë mbështetjet për të protestuar kundër vendimeve gjyqësore që shfajësojnë Serbinë për krimin e gjenocidit

31 korrik 2024 | 12:42

Shoqata “Zëri Atdheut” në Montebelluna të Italisë i është bashkëngjitur protestës së Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” për vendimet e gjykatave vendore, të cilat e shfajësojnë Serbinë për krimin e gjenocidit që e ka kryer kundër popullatës shqiptare në Kosovë, gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Kështu kjo shoqatë i është bashkëngjitur Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” në protestën kundër dënimeve të fundit për krime lufte në vend se ato të trajtoheshin si krime të gjenocidit.

“Jemi kundër të gjitha vendimeve gjyqësore që shfajësojnë Serbinë për gjenocidin në Kosovë”, thuhet në mbështetjen e kësaj shoqate.
Edhe shoqata Kulturore Shqiptare “Mëmëdheu” nga Zvicra, përmes një reagimi, ka shprehur indinjatën e saj për vendimet e gjykatave vendore, të cilat e shfajësojnë Serbinë për krimin e gjenocidit.

“Të revoltuar thellë nga ajo që po dëgjojmë dhe po shohim, se si po trajtohet krimi i gjenocidit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, reagojmë fuqishëm kundër këtyre dënimeve, e, që Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur’, në prononcimin e sajë më datë 23.07.2024, me të drejtë i ka demaskuar, duke ngritur alarmin për dëmet e mëdha që shkaktojnë veprime të tilla, si në rrafshin historik, politik dhe atë të drejtësisë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e kësaj shoqate.

Më 12 korrik 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me 15 vjet burg Muharrem Alidemajn për pjesëmarrje në krime lufte gjatë vitit 1999 për vrasjen e mbi njëqind shqiptarëve, në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt.

Më 17 korrik 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me 12 vjet burg Ekrem Bajroviqin, për pjesëmarrje në krime lufte të vrasjes së 16 shqiptarëve dhe keqtrajtimit të 84 shqiptarëve të tjerë, në komunën e Istogut.

Duke i kualifikuar si krime lufte, aktet gjenocidale që kanë kryer forcat serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjykatat themelore të Kosovës shfajësojnë Serbinë për krimin e gjenocidit që ka kryer gjatë luftës 1998-1999.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë Hapur” që është nismëtare e kësaj proteste, falënderon shoqatën “Zëri Atdheut” dhe shoqatën “Mëmëdheu” për bashkëngjitje në protestë, duke u bërë kështu zë i viktimave të gjenocidit të cilin e kanë kryer forcat serbe në Kosovë.

Shoqata “Mëmëdheu”: Kjo është rivrasje e viktimave të gjenocidit

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Princi Harry pritet të marrë një dhuratë speciale në ditëlindjen…