Vazhdojnë mosmarrëveshjet SHBA-Turqi për raketat ruse S-400
Shtetet e Bashkuara dhe Turqia nuk duket se bënë përparim të mërkurën drejt zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje të madhe rreth planeve të Ankarasë për të blerë një sistem rus të mbrojtjes ajrore, pak përpara livrimit të pritshëm të tij në korrik.
Bisedimet u zhvilluan gjatë takimeve në selinë e NATO-s në Bruksel. Shtetet e Bashkuara thonë se blerja e sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400 paraqet një kërcënim për blerjen e planifikuar nga Turqia të avionëve amerikanë Stealth F-35 të firmës Lockheed Martin. Uashingtoni thotë se Ankaraja nuk mund t’i ketë të dyja dhe ka filluar procesin e heqjes së Turqisë nga programi i avionëve F-35, përfshirë ndërprerjen e trajnimit të pilotëve turq në Shtetet e Bashkuara për avionët e avancuar Stealth.
Mark Esper, sekretari amerikan i mbrojtjes në detyrë, paralajmëroi homologun e tij turk Hulusi Akar gjatë bisedimeve me dyer të mbyllura se blerja e sistemit rus do të kishte gjithashtu një ndikim ekonomik, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes i SHBA, duke aluduar për sanksione të pritshme nga SHBA. “Sekretari ishte shumë i vendosur, edhe njëherë, se Turqia nuk mund t’i ketë të dyja, edhe S-400 edhe F-35. Dhe nëse ata pranojnë S-400 ata duhet të pranojnë pasojat jo vetëm për programin F-35 por edhe ato ekonomike.”
Blerja e pajisjeve ushtarake nga Rusia e lë Turqinë të zbuluar ndaj ndëshkimit nga SHBA, në bazë të një ligji të vitit 2017, i njohur si CAATSA. Turqia ka hedhur poshtë shqetësimet e SHBA për sigurinë e avionëve F-35 dhe këmbëngul se nuk mund të largohet nga blerja e sistemit S-400. Oferta e SHBA për ta furnizuar Turqinë me raketa Patriot, prodhuar nga kompania amerikane Raytheon Co, nuk ka ndikuar mbi Ankaranë.
Tensionet midis Uashingtonit dhe Ankarasë tashmë shtrihen përtej avionëve F-35 dhe përfshijnë strategjinë në Siri, sanksionet ndaj Iranit dhe çështje të tjera. /voa/