Vazhdojnë përgatitjet për takimin Trump-Kim
Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo pritet të takohet me një zyrtar të lartë koreano-verior në Nju Jork këtë javë.
Takimi vjen ndërsa zyrtarë të dy vendeve diskutojnë detajet logjistike për bisedime tp mundshme të nivelit të lartë mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jung Un, parashikuar të mbahet më 12 qershor.
Planet për një takim të nivelit të lartë SHBA-Koreja e Veriut, që u anuluan javën e kaluar, tani po ecin përpara.
Zyrtari lartë koreano-verior Kim Yong Chol, pritet të takohet me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo në ditët në vazhdim.
Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit ishin optimist për takimet që do të mbahen në Nju Jork.
“Ky do të jetë takimi i tretë i sekretarit me Kim Yong Chol-in. Ata kanë pasur bisedime të detajuara lidhur me pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara. Nuk mund të flas para se takimet të mbahen. Sekretari Pompeo vetë do të flasë për to”.
Kim Yong Chol është zyrtari më i lartë koreano-verior që viziton Shtetet e Bashkuara prej afro dy dekadash.
Ai mori pjesë në Lojrat Olimpike dimërore të vitit 2018 këtë vit, si anëtar i delegacionit koreano-verior. Sipas njoftimeve ish-kryeagjenti ishte përfshirë gjithashtu në sulmet kibernetike të vitit 2014 që kishin në shënjestër kompaninë “Sony Pictures”.
Vizita e tij në Nju Jork vjen ndërsa një delegacion amerikan mban bisedime me zyrtarë të Koresë së Veriut në zonën e çmilitarizuar dhe ekipet në Singapor ku mendohet të mbahet takimi finalizojnë detajet e tij.
Presidenti Donald Trump, që anuloi takimin historik javën e kaluar, tani ka në plan ta mbajë atë, duke shkruar në Twitter “përgjigje pozitive ndaj letrës sime, faleminderit!”
Ekspertët thonë se vendimi i udhëheqësit të Koresë së Veriut për të dërguar krahun e tij të djathtë në Shtetet e Bashkuara është një fillim premtues.
“Unë mendoj se koreano-veriorët nuk kanë dashur kurrë të zbatojnë asgjësimin e armëve bërthamore. Por unë mendoj se kanë vullnetin që ta shqyrtojnë këtë mundësi në këmbim për shpërblime ekonomike dhe të sigurisë. Prandaj mendoj se ky është thelbi i çështjes, të shohim nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë ndikim ndaj koreano-veriorëve për të zbatuar synimin tonë për një Kore Veriore pa armë bërthamore”.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë konfirmon se Presidenti Trump do të takohet me kryeministrin japonez, Shinzo Abe më 7 qershor, pesë ditë para takimit të nivelit të lartë në Singapor, dhe nuk ka dyshim që Koreja e Veriut do të jetë një nga temat. /VoA