Vazhdojnë përplasjet mes Lowit dhe Mullerit
Tema e rikthimit të Thomas Mullerit në Kombëtaren e Gjermanisë është duke u shndërruar në një telenovelë kohët e fundit.
Pasi i rihapi derën rikthimit të sulmuesit të Bayern Munchen në përfaqësuese në Evropianin e verës së ardhshme, trajneri i “Pancerave”, Joachim Low, u pyet për të satën herë në lidhje me këtë temë gjatë ndeshjes mes Bayernit dhe Lepzing, ku ai ishte i pranishëm për të ndjekur kryendeshjen e Bundesligës.
“Probabiliteti është relativisht i ulët që kjo të ndodhë nëse lojtarët e rinj janë të gatshëm fizikisht”, ka thënë 60-vjeçari nga “Allianz Arena” në një intervistë për “Sky”. “Ne kemi Sanenë që rikthehet, Gnabry, Wernerin, Draxlerin, Reus kur të jetë sërish gati ose Brandin. Kemi lojtarë shumë të rinj në këto pozicione të cilëve u duhet dhënë hapësirë. Muller si të tjerët është një lojtar shumë i mirë”, ka thënë Jogi.
Pas ndeshjes, erdhën edhe komentet e Mullerit, i cili duke i treguar stemën e fanellës së Bayernit kamerës tha: “Nuk më intereson Evropiani. Më intereson vetëm stema e Bayernit dhe dua të fitojë tripletën me klubin tim”.