Vazhdojnë protestat kundër projektligjit për “agjentët e huaj” në Gjeorgji
Protestat kundër të ashtuquajturit projektligji për “agjentët e huaj”, i cili pritet të kalojë në leximin përfundimtar në Parlamentin e Gjeorgjisë, kanë vazhduar në kryeqytetin gjeorgjian.
Qytetarët gjeorgjianë kanë marshuar në kryeqytet në shenjë kundërshtimi të vendimeve të qeverisë për të sjellë legjislacione të cilat rrezikojnë dëmtimin e marrëdhënieve të Tbilisit me Perëndimin.
Ata kanë marshuar nga ndërtesa e Parlamentit në drejtim te zyrave qendrore të partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ku u përballën me një kordon policor.
Disa prej tyre bartnin flamuj të BE-së dhe të Gjeorgjisë. Nuk është raportuar për dhunë. Në protestat tashmë javore kundër, siç e quajnë kritikët “ligjit rus”, ka pasur nganjëherë edhe veprime të ashpra policore për shpërndarjen e turmave. Raportohet se ka pasur përdorim të plumbave të gomës, arrestime dhe banda të cilat i kanë sulmuar demonstruesit. Njëri prej organizatorëve të protestës më të fundit, Zviad Tsetskhladze, ka thënë se kundërshtarët e projektligjit e kanë krijuar një grup, i cili do të përpiqet të sigurojë mbështetje financiare për individët të cilët pushohen nga puna e tyre në sektorin publik, për shkak të kundërshtimit të projektligjit. Dhjetëra mijëra gjeorgjianë kanë dalë në rrugët e Tbilisit dhe të qyteteve të tjera në protestat të cilat kanë hasur në përgjigje të ashpër policore, si sprej kimik dhe gaz lotsjellës, topa uji, dhe siç dyshohet, edhe plumba gome.
Projektligji i detyron mediat dhe organizatat joqeveritare dhe jofitimprurëse të regjistrohen si “ndjekëse të interesave të një pushteti të huaj”, nëse më shumë se 20 për qind e të ardhurave të tyre vijnë nga jashtë.
Qeveria ngul këmbë se ligji do të jetë në përputhje me standardet e BE-së dhe se qëllimi i vetëm i tij është rritja e “transparencës” dhe parandalimi i “ndikimit të dëmshëm nga jashtë” në skenën politike të vendit.
Projektligji pritet të hidhet në votim për leximin e tretë dhe të fundit deri më 13 maj. Ëndrra Gjeorgjiane dhe aleatët e saj duket se i kanë votat e mjaftueshme për ta kaluar këtë projektligj dhe, mbase, edhe për ta rrëzuar veton, të cilët presidentja Salome Zourabichvili është zotuar se do ta përdorë.
Liderët e BE-së kanë thënë se zbatimi i këtij ligji do të ndikojë në shpresat e Gjeorgjisë për t’iu bashkuar bllokut. Projektligji është dënuar edhe nga ShBA-ja, e cila ka qenë mbështetësja më e madhe e ish-republikës sovjetike në vitet e fundit.