Vazhdojnë punimet për rregullimin e shtratit të lumit “Ibër” dhe “Sitnica”
Drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Komunën e Mitrovicë, Naser Muja, ka dalë në terren për të parë nga afër punimet që janë duke u zhvilluar për rregullimin e shtratit të lumit “Ibër” dhe “Sitnica”.
Me këtë rast, Muja është shprehur mjaft i kënaqur me dinamikën e punimeve që po bëhen për rregullimin e shtratit të lumenjve “Ibër” dhe “Sitnica”, ku përveç rregullimit të shtretërve, këto projekte parashihen të kenë shtegun për këmbësor, hapësira gjelbërimi, ndriçim publik, mure mbrojtëse, ura kaluese apo pragu kapërderdhës, i cili do të shërbejë si pushimore.
Po ashtu, drejtori Muja ka theksuar se rregullimi i këtyre shtretërve të lumenjve përveç aspektit rekreativ, ka rëndësi të madhe edhe në parandalimin e vërshimeve që zakonisht kanë shkaktuar këta lumenj.
Këto projekte janë duke u realizuar si bashkëfinancim në mes të Komunës së Mitrovicës si dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Të dy projektet parashihet të kushtojnë rreth 8 milionë euro.
/Epoka e re/