Vazhdojnë reformat në Shërbimin Korrektues të Kosovës
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë më dije të hënën se deri më tani në kuadër të reformave ShKK-ja ka arritur shumicën e objektivave përfshirë këtu ato logjistike, trajnimin e zyrtarëve si dhe luftimin e dukurive negative brenda institucioneve të këtij shërbimi.
“Pas një kohe të gjatë diskutimesh kemi gjetur modalitetet dhe mënyrat më të mira dhe kemi ardhur në përfundim që t’i ndjekim praktikat e rotacionit me qëllim që këto praktika të përcjellën nga një institucion në një institucion tjetër me arsyen e vetme që të jemi më të suksesshëm dhe më efikas në punën tonë. Sot së bashku me të gjithë akterët kyç kemi arritur ta ndryshojmë imazhin e ShKK-së dhe kjo krejt falë angazhimit dhe punës së përbashkët të stafit dhe ballafaqimit me sfidat nëpër të cilat ka kaluar”, është thënë në komunikatë.
Më tutje është theksuar se institucionet e sigurisë, Policia e Kosovës, FSK-ja dhe Doganat vetëm përmes rrotacionit të stafit, prej një qendre në qendrën tjetër kanë arritur t’i eliminojnë dukuritë negative.
“Pa dyshim ky rrotacion ka imputet e veta, prandaj edhe ShKK do të testojë një metodologji të tillë dhe sigurisht kjo do të jep efektet e veta pozitive. Me fillimin e këtij rotacioni kemi pas parasysh shumë kritere të tjera, përfshirë këtu edhe lehtësimin e udhëtimit dhe transportin e zyrtarëve të cilët kanë filluar prej 1 shtatorit të këtij viti dhe do të vazhdojnë deri më 1 dhjetor. Si dhe për të vazhduar edhe me rrotacione të tjera të këtij lloji edhe në të ardhmen”, është theksuar në komunikatën për medie të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK).
Në vazhdimin e kësaj komunikate është theksuar se këto të arritura të Shërbimit Korrektues të Kosovës padyshim se janë rezultat i angazhimit maksimal të shumë burrave dhe grave të cilët janë pjesë e ShKK-së.
“Hipoteza e cila e ka përcjellë ShKK-në ndër vite e që po len një shije të keqe për ne edhe sot është nepotizmi dhe favorizimet. Ne jemi duke punuar në mënyrën më të mirë të mundshme për t’i gjetur metodat dhe metodologjitë për ta dëshmuar të kundërtën e saj, dhe duhet të dëshmojmë se vërtetë jemi institucion me vlera dhe kredibilitet të lartë, pavarësisht se kjo do një sakrificë dhe mund më të theksuar”, është thënë në komunikatën e ShKK-së.
/Epoka e re/