Vazhdon aksioni në Brezovicë, prokuroria po heton për regjistrimin e vikend-shtëpizave
Prokuroria Themelore e Ferizajt është duke realizuar një inspektim në zonën e Brezovicës, ku po hetohet për identifikimin dhe regjistrimin e vikend-shtëpizave.
Nëpërmjet një njoftimi për media është bërë me dije se ky inspektim po bëhet në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e Komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjensinë Kadastrale të Kosovës.
“Qëllimi i këtij operacioni është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin”, është thënë në njoftim.
Ky aksion është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme në zonën e Brezovicës.