Vazhdon beteja politike Thaçi – Haradinaj për liderizëm në dialog
Përplasjet tash e disa muaj të liderëve kryesorë institucionalë, përmes deklaratave publike, kanë reflektuar jo-unitet politik dhe institucional të Kosovës karshi çështjeve që janë me interes kombëtar për vendin, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Sipas tyre, përplasjet janë zhvilluar kryesisht ndërmjet presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ato kanë nisur kryekëput për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe çështjet që janë ndërlidhur me këtë proces, ndonëse kryeministri Haradinaj ishte pajtuar që procesin e dialogut ta drejtonte presidenti. Për më shumë, në këto polemika janë përfshirë edhe liderët tjerë institucionalë, por edhe të partive në opozitë.
Siç kanë thënë njohësit e zhvillimeve politike, përplasjet e liderëve institucionalë të Kosovës më tepër kanë qenë për të shfaqur liderizëm sesa për mbrojtjen e qëndrimeve të tyre parimore.
Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se polemikat dhe përplasjet përmes deklaratave, liderët institucionalë i kanë bërë me qasje të ndryshme, por të cilat, sipas tij, nuk janë të bazuara në platforma dhe strategji të kompletuara.
“Kundërshtimet në mes të liderëve politikë të Kosovës nuk janë bërë mbi bazën e kundërshtimit të strategjive, por të kundërshtimit personal. Pra, ka pasur tendenca për protagoniozëm dhe nuk ka qenë një konfrontim konstruktiv i ideve dhe planeve, në mënyrë që të arrihet deri tek ideja apo plani më i mirë për Kosovën. Mirëpo, kanë qenë beteja të personalizuara, të cilat i kanë bërë dëm Kosovës, sepse nuk e kanë mundësuar arritjen e një pajtueshmërie dhe të një qëndrimi të unifikuar, por kanë krijuar hendeqe të mëdha politike”, ka thënë Muhaxhiri.
Mendim të ngjashëm ka edhe Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”. Duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ai ka theksuar se polemikat ndërmjet liderëve institucionalë të vendit, kanë treguar që udhëheqësit politikë ende nuk kanë arritur të dalin jashtë petkut partiak dhe secilën kauzë të mundshme në vend, e përdorin për populizëm dhe për vota.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/thaci-haradinaj-perplasje-/29989715.html.