Vazhdon dezinsektimi i zonave endemike në Malishevë
Në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për parandalimin dhe luftimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), pas një pauze disaditore për shkak të kushteve atmosferike, të premten ka vazhduar fushata e dezinsektimit të zonave endemike.
Dezinsektimi bëhet kundër rriqrave, të cilët janë bartës të virusit të EHKK-së.
“Sot janë duke u dezinsektuar zonat e caktuara në fshatin Dragobil, ndërsa më pas pritet të vazhdohet me këtë fushatë të dezinsektimit në qytetin e Malishevës dhe periferinë e saj. Me dezinsektim, përfshihen të gjitha hapësirat publike dhe private në territoret e caktuara, të cilat vlerësohen si zona endemike dhe potencialisht mund të ketë prezencë të rriqrave dhe virusit të EHKK”, ka njoftuar komuna e Malishevës.
Në këtë njoftim theksohet se fushata e dezinsektimit është duke u pritur mirë nga banorët, përderisa vendbanimet paraprakisht njoftohen, në mënyrë të që marrin masat e nevojshme preventive, në veçanti bletarët.
“Dezinsketimi i zonave endemike, është pjesë e strategjisë nacionale të hartuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) dhe institucioneve tjera përgjegjëse për luftimin dhe parandalimin e EHKK. Që nga viti 2014, në komunën e Malishevës, nuk është regjistruar asnjë rast i prekur apo që ka pësuar me fatalitet, si pasojë infektimit me virusin e EHKK, virus i cili tek njeriu bartet përmes rriqrave, dhe ky është viti i gjashtë me radhë që nuk ka raste të infektimit me EHKK”, është bërë me dije në njoftimin e komunës së Malishevës.
(Q.R / Epoka e re)