Vazhdon ekzekutimi i subvencioneve në vlerë prej rreth 5.5 milionë euro
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka vazhduar ekzekutimin e pagesave direkte për përfituesit në kuadër të programit të pagesave direkte për vitin 2018, përkatësisht listën e dytë të përgatitur pas kontrolleve të kryera në terren.
Pagesat direkte kanë filluar të ekzekutohen për 4,866 fermerë përfitues të pagesave për sipërfaqet e mbjella me grurë, farë gruri, misër, thekër, elb, vreshta, lullediell, si dhe pemë e perime, në vlerë prej 3,627,856.66 euro.
Po ashtu, pagesat janë në proces të ekzekutimit edhe për 2.204 përfituesit e pagesave direkte për lopë, buallica qumështore, dele, dhi, bletë, pula, dosa dhe thëllënza, në vlerën totale prej 1,868,760.00 euro.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Ekrem Gjokaj, ka thënë se kjo agjenci gjatë gjithë kohës së procesit vlerësues ka qenë dhe do të jetë transparente.
/Epoka e re/