Vazhdon evakuimi i diplomatëve dhe shtetasve të huaj nga Sudani
Një luftë e egër për pushtet midis ushtrisë së rregullt dhe një force të fuqishme paraushtarake ka çuar në trazira dhune të gjithë Sudanin për më shumë se një javë. Një numër i madh i vendeve kanë evakuuar diplomatët dhe qytetarët nga kryeqyteti i Sudanit. SHBA dhe Britania e Madhe kanë njoftuar të dielën se kishin larguar diplomatët jashtë vendit.
Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja gjithashtu kanë evakuuar diplomatë dhe shtetas të tjerë. Sipas BBC, autoritetet amerikane thanë se kishin transportuar më pak se 100 persona me tre helikopterë. Me këtë rast, ambasada e SHBA në Khartoum tani është e mbyllur dhe me anë të një postimi në Twitter ka shkruar se nuk është mjaft e sigurt nëse qeveria do të evakuojë gjithë qytetarët amerikanë. Në anën tjetër, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar arriti të largonte diplomatët britanikë dhe familjet e tyre jashtë vendit.
Presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi se një aeroplan kishte mbërritur me qytetarë francezë, disa evakuime të tjerë u bënë të dielën, ndërsa një tjetër evakuim u bë të hënën, duke e çuar numrin e njerëzve të evakuuar deri më tani në 388. Edhe Italia dhe Spanja kanë evakuuar qytetarët, me ç’rast misioni spanjoll përfshinte evakuimin e shtetasve nga Argjentina, Kolumbia, Irlanda, Portugalia, Polonia, Meksika, Venezuela dhe Sudani. Në këtë mënyrë ka vepruar edhe kryeministri kanadez Justin Trudeau, duke deklaruar se qeveria e tij kishte evakuuar stafin e saj diplomatik
Në mes të kësaj trazire, ka pasur thirrje të dëshpëruara për ndihmë nga shumë studentë të huaj, nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme, të cilët janë gjithashtu të bllokuar në Khartoum. Ndërkohë, raportime nga media botërore tregojnë se lidhja e internetit është jashtë funksionit pothuajse totalisht në Sudan, gjë që mund të pengojë seriozisht koordinimin e ndihmës për të bllokuarit në Khartoum dhe qytete të tjera. Lufta për pushtet ka parë bombardime të rënda në kryeqytet, me qindra të vrarë dhe mijëra të tjerë të plagosur.
Të shtënat dhe bombardimet pothuajse të vazhdueshme në Khartoum dhe gjetkë kanë ndërprerë energjinë elektrike dhe aksesin e sigurt në ushqim dhe ujë për pjesën më të madhe të popullsisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se luftimet kanë vrarë më shumë se 400 njerëz dhe mijëra të plagosur. Por numri i të vdekurve besohet të jetë shumë më i lartë pasi njerëzit po përpiqen të marrin kujdes shëndetësor, pasi shumica e spitaleve të qytetit janë detyruar të mbyllen nga luftimet.