Vazhdon “gjahu” i klubeve të Superligës

08 janar 2019 | 11:06

KF Gjilani të hënën i ka realizuar dy transferime nga futbolli i Shqipërisë, kurse Llapi e ka regjistruar një transferim dhe dy largime. Krizën e Ferizajt e ka shtuar edhe më shumë Afrim Tovërlani, i cili ka vendosur të largohet ky klub.

Klubet e IPKO Superligës së Kosovës në futboll e kanë vazhduar “gjahun” e përforcimeve edhe të hënën. Skuadrat më aktive ishin Gjilani dhe Llapi. Skuadra nga Anamorava është përforcuar me dy futbollistët nga Shqipëria: Vilson Lilën dhe Klejdi Koçi.

“Vilson Lila luan në pozitën e mbrojtësit të qendrës dhe vjen nga klubi i Kastriotit nga Superliga e Shqipërisë. 29-vjeçari ka bërë karrierë brenda Shqipërisë, ku më parë ishte edhe pjesë e Kukësit. 19-vjeçari Klejdi Koçi luan në pozitën e mesfushorit dhe vjen nga shkolla e futbollit nga Tirana, KF Therm Tirana, ku ndër vite ishte lojtar i dalluar në gjeneratën e tij dhe kishte spikatur me paraqitjet e tij në kategorinë e juniorëve në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e KF Gjilani.

Skuadra e Llapit vazhdon të jetë e para për ndryshime në këtë afat kalimtar. Kjo skuadër ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me sulmuesin Miran Maksuti. Qendërsulmuesi nga Tetova ishte pjesë e Renovës, ndërsa më parë ka luajtur edhe për skuadrën e KEK-ut. Të hënën klubin nga Podujeva e ka braktisur sulmuesi Alban Rexhepi dhe mbrojtësi Dardan Jashari. Ky i fundit ka thënë se ndihet krenar që po largohet nga kjo skuadër me kokën lart, pasi në secilën ndeshje ka dhënë maksimumin.

“Pas katër vjet e gjysmë pjesë e këtij klubi, sot edhe zyrtarisht po largohem për një rrugëtim të ri në karrierën time. Për gjatë këtyre katër vjetëve e gjysmë kaluam shumë çaste të mira, gëzimi e hidhërimi, u shpallëm kampionë të Ligës së Parë, arritëm në finale të Kupës, ishim gjithnjë synuesit kryesor për titull, por tash është mbyllja e një kapitulli shumë të rëndësishëm në karrierën time. Falënderim i madh i takon ish-kryetarit të klubit, Nexhat Dumnicës, kryesisë së vjetër dhe aktuales, ish-trajnerit Tahir Batatina, të gjithë trajnerëve që punuam së bashku, lojtarëve. Falënderim i veçantë për qytetin e Podujevës dhe tifozët ‘Legjendat’ që për këta katër vjet e gjysmë më bënë të ndihem si në shtëpinë time. Po largohem me shumë krenari sepse asnjë ndeshje nuk e kam përmbyllur pa e dhënë maksimumin, duke mbajtur me dinjitet e krenari fanellën e klubit të Llapit”, ka deklaruar Jashari.

Pas vështirësive financiare dhe mungesës së një organizimi të mirëfilltë nga skuadra e Ferizajt është larguar trajneri Afrim Tovërlani. “Toki” ka thënë se po largohet nga ky klub për faktin se obligimet ndaj futbollistëve nuk janë kryer dhe se nuk janë bërë pesë transferimet e parapara të bëhen deri më 31 dhjetor. Stërvitjet i kanë filluar edhe Prishtina dhe Drenica nga Skenderaj.

/Veton ZYMBERI/ 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mbajtur mbledhjen…