Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon gjykimin ndaj krerëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ndryshe edhe dje ka vazhduar dëshminë dëshmitari i gjashtë i ZPS-së në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve. Dëshmitari i radhës i ZPS-së është dëshmitari i mbrojtur 4355.
Të hënën ka përfunduar dëshminë edhe dëshmitari i pestë me kodin 3165 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sikur ditët e kaluara edhe të hënën e të martën seanca në shumicën e kohës ka qenë me përmbajtje të redaktuar dhe në sesion privat.
Gjykimi do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Në këtë proces deri tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.
Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.