Vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të hënën kanë dëshmuar dy dëshmitar.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka dëshmuar dëshmitari i 50-të, Claude Cahn i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Claude Cahn ka theksuar se me 1999 kanë parë civil duke djegur shtëpi dhe se situata në Kosovë ngjasonte me anarki.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, dëshmitari ka deklaruar se civilët silleshin çuditshëm gjatë asaj kohe.
Cahn ka theksuar se gjatë qëndrimit në Kosovë nuk kanë folur për strukturën e UÇK-së me KFOR-in.
Këtë përgjigje, ai e dha në pyetjen e avokatit të Rexhep Selimit, Eric Tully, se a kanë biseduar me KFOR-in për strukturën e UÇK-së.
Dëshmitari Cahn, ka deklaruar se nuk i kujtohet të ketë parë shtëpi të djegura në Krushë të Madhe dhe të ketë pasur masakër aty.
“Nuk më kujtohet që kam parë shtëpi të djegura në Krushë të Madhe dhe nuk e di se aty të ketë ndodhur një masakër”, ka theksuar Cahn.
Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Krasniqit, avokatit Aidan Ellis, se a ka parë shtëpi të djegura gjatë vizitës së bërë në Krushë të Madhe dhe se a ka dëgjuar që në këtë vend ka pasur një masakër.