Vazhdon greva e minatorëve
Minatorët e kombinatit metalurgjik Trepça në Kosovë kanë hyrë në ditën e gjashtë të grevës.
Ata thonë se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kushteve të kërkuara.
Minatorët janë duke kërkuar rritjen e pagave për 20 për qind, shkarkimin e Bordit të këtij kombinati, ndalimin e punësimit të stafit pa konkurs dhe krijimin e kushteve më të mira për punë.
Punëtorët po ashtu po kërkojnë që sa më shpejt të miratohet statuti i “Trepç”-ës, ashtu siç parashihet me Ligjin për “Trepçën”.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepç”-ës, Shyqyri Sadiku, ka deklaruar për “Radion Evropa e Lirë”, se janë në pritje të plotësimit të kushteve, për të cilat kanë hyrë në grevë.
“Greva është duke vazhduar, jemi në pritje. Bisedimet që i kemi pasur me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për dy pika të kërkesës, i kemi përafruar, ndërkaq sa i përket pikës një, që është rritja e pagave dhe pikës dy që është shkarkimi i bordit, nuk kemi arritur marrëveshje dhe jemi në pritje. Ne do të jemi në grevë deri në realizimin e kërkesave tona”, u shpreh Sadiku.