Vazhdon kriza në Kanalin e Suezit, anija mund të rrijë e bllokuar edhe për pesë ditë

28 mars 2021 | 17:36

Një nga anijet më të mëdha në botë që peshon 224 tonë, “Ever Given”, nga e marta vazhdon të qëndrojë e ngecur në Kanalin e Suezit.

Anija që ka gjatësi prej 400 metrash ka ngecur në formë diagonale në pjesën jugore të kanalit pas erërave të forta dhe një stuhie rëre.

Tarifat e transportit të anijeve cisternë të produkteve të naftës pothuajse u dyfishuan pasi bllokimi dëmtoi rëndë zinxhirët globalë të furnizimit.

Anija me kontejnerë “Ever Given” mbetet e bllokuar në Kanalin e Suezit për të gjashtën ditë radhazi, duke penguar qarkullimin në një nga korridoret ujore më të ngarkuara në botë.

Më shumë se 320 anije prisnin të dielën në radhë për ta kaluar kanalin, disa në drejtim të Detit Mesdhe e disa të tjera drejt Detit të Kuq, sipas Agjencisë “Leth”, e cila menaxhon shërbimet e kanalit.
Dhjetëra të tjera presin ta fillojnë lundrimin drejt Kanalit, ndërsa shumë kompani po përpiqen të gjejnë rrugë alternative.

Anija gjigante “Ever Given”, që transporton mallra nga Azia drejt Evropës, nga e marta ngeci në kanalin e ngushtë të krijuar nga njeriu si dalje përmes kontinentit afrikan dhe Gadishullit Sinai nga Oqeani Indian për në Detin Mesdhe.
Disa ekspertë paralajmërojnë se edhe në skenarin më të mirë të mundshëm, për zhvendosjen e anijes mund të duhen të paktën pesë ditë ose një javë, raporton VOA.

Kapiteni Nicolas Sloane, nënkryetar i Unionit Ndërkombëtar të Shpëtimit, ka thënë se vendndodhja e anijes, madhësia e saj dhe sasia e madhe e ngarkesave e bëjnë më të ndërlikuar operacionin e zhbllokimit.

“Ajo është anija më e madhe që ka kaluar ndonjëherë në kanal dhe vendndodhja e saj e bën kalimin tejet të vështirë. Në skenarin më të keq do të duhej heqja e ngarkesës. Gjë që mund ta imagjinoni, një anije e transportit përmes lumenjve mund të marrë rreth 400 kontejnerë, kështu që do të duhen rreth 300 të tilla për të zbrazur këtë anije gjigante”, ka thënë Sloane.

Bllokimi i trafikut detar mund të ndikojë në dërgesat e naftës dhe gazit në Evropë nga Lindja e mesme.
Rreth 10 për qind e tregtisë botërore lëviz përmes Kanalit të Suezit, i cili ka një rëndësi të veçantë për transportin e naftës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 22-vjetorit të masakrës së Izbicës, kryetari i…