Vazhdon me intensitet të lartë realizimi i projekteve kapitale në Prizren
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka mbajtur mbledhjen e përjavshme me drejtorët, ku u raportua për arritjet javore dhe planifikimin për ditët në vazhdim.
Situata aktualisht është nën kontroll, në gjithë Komunën e Prizrenit, sa i përket reshjeve të vazhdueshme të shiut. Me këtë rast është themeluar edhe Shtabi Emergjent, i cili mund të kontaktohet 24/7 për çdo problematikë në terren që mund të shkaktohet nga reshjet.
Me prioritet, në këtë mbledhje, kryetari Totaj, ka kërkuar fillimin sa më të shpejt të projektit të futjes së kabllove elektrike nën tokë dhe rregullimin e kalldrëmeve në Shatërvan si dhe furnizimin e familjeve në nevojë me lëndë djegëse për sezonin e ftohtë.
U theksua se javën që po lëmë pas ka vazhduar me intensitet të lartë realizimi i projekteve kapitale në Komunën e Prizrenit, ndërsa, së shpejti fillon rregullimi i komplet infrastrukturës (kanalizim, ndriçim dhe asfaltim) në lagjen “Dardania” në Prizren.
Gjithashtu ka filluar kontrollimi i dokumenteve të lejeve të ndërtimit të sallave të dasmave dhe të vilave për përputhshmërinë e lejeve me ndërtimin në terren, ku do të merren masa nëse nuk ekziston harmoni mes dokumenteve dhe gjendjes në lokacionet e caktuara.
Po ashtu u bë me dije se gjatë javës që lamë pas kanë vazhduar aksionet e inspektorëve komunalë për lirimin e hapësirave publike dhe trotuareve si dhe do të inspektohen lejet mjedisore për antenat e telefonive mbi ndërtesa.
Inspektorët, gjithashtu kanë filluar kontrollimin e taksive me qëllim shpejtimin e qarkullimit të automjeteve në rrugët komunale.