Vazhdon mobilizimi i Task Forcës për pastrimin e Kosovës
Në kuadër të angazhimit të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka mbajtur takimin e dytë me anëtarët ministror të Task Forcës.
Në këtë takim, u.d ministri Matoshi dhe përfaqësuesit e Task Forcës, janë koordinuar për veprimet e mëtutjeshme për realizimin e aksionit për pastrimin e mjedisit, i cili aksion do të fillojë më 15 shtator 2018.
Gjatë këtij takimi, u.d ministri Matoshi ka thënë se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, do të kërkohet miratimi i Planit të Veprimit të Task Forcës si dhe miratimi i buxhetit për realizimin e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”.
“Në mbledhjen e ardhshme do ta informojë Qeverinë e Kosovës në lidhje me hapat dhe përparimin që ka pasur takimi i Task Forcës dhe shumë shpejt pres që Plani i Veprimit dhe buxheti për aksionin e 15 shtatorit të miratohet në Qeveri”, tha Matoshi.
U.d ministri Matoshi, kërkoi angazhimin e të gjitha ministrive përkatëse në grupe teknike dhe politike, për të realizuar aksionin tre mujor për pastrimin e vendit, duke marrë kështu mbështetje logjistike dhe teknike nga ta.
Rol të rëndësishëm në aksionin për pastrimin e vendit, sipas u.d ministrit Matoshi, do të kenë edhe Komunat e Republikës së Kosovës për largimin e deponive ilegale.
“Aksioni për pastrimin e mjedisit , është aksioni më i madh në Republikën e Kosovës, andaj rol të veçantë këtu do të kenë edhe komunat e vendit”, ka deklaruar Matoshi.
Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” do të fillojmë më 15 shtator 2018 dhe do të zgjasë deri më 15 dhjetor 2018.