Vazhdon operacioni “Dega e Ullirit” kundër terroristëve në Afrin
Forcat e Armatosura Turke (TSK) në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit” në Afrin të Sirisë, nga Kilisi në Turqi kanë sulmuar pozitat e terroristëve të PYD/PKK-së në rajonin në fjalë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ditën e tretë të operacioneve në të cilat po marrin pjesë edhe pjesëtarë të Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS), është ofruar mbështetje shtesë e njësiteve që përparojnë drejt objektivave në Afrin.
Përveç kësaj automjetet ushtarake herë pas here dërgohen për të mbështetur njësitë kufitare.
Forcat turke të shtunën kanë filluar operacionin “Dega e Ullirit” në Afrin me qëllim të vendosjes së sigurisë në vijën kufitare, neutralizimin e elementeve terroriste PYD/PKK dhe DEASH-it, çlirimin e territoreve që okupuan terroristët dhe shpëtimin e popullit vëlla në këtë rajon.
Operacioni në Afrin ka filluar në kuadër të të drejtave të Turqisë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara, veçmas të atyre që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit.
Turqia mbështetet edhe në nenin 51 të marrëveshjes së OKB-ve, konkretisht “të drejtës për vetëmbrojtje”. Operacioni bëhet me respektim të integritetit territorial të Sirisë.
Forcat besnike të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad në korrik të vitit 2012 pa përleshje ia dorëzuan terroristëve të PYD/PKK-së kontrollin në Afrin. Kjo u bë një nga qendrat kryesore të organizatës terroriste. Terroristët e PYD/PKK momentalisht nën okupim mbajnë 65 për qind të kufirit siriano-turk, ndërsa në Afrin gjenden mes 8.000 dhe 10.000 terroristë.