Vazhdon patrullimi i policisë në kuadër të zbatimit të masave anti-Covid
Përmes implementimit të planeve policore dhe zbatimit të masave antiCovid-19, policia po kujdeset për sigurinë publike si dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Duke pasur synim dhe qëllim primar ngritjen e mëtejme të sigurisë së përgjithshme, parandalimin e krimit dhe zbatimin e masave antiCovid-19, policia po vazhdon me patrullime gjatë 24 orëve, thuhet në një postim të Policisë së Kosovës në “Facebook”.
Sipas masave qeveritare për parandalimin e përhapjes së coronavirusit, nga ora 22.30 deri në 05:00 të mëngjesit është i ndaluar qarkullimi për qytetarët dhe veprimtaria e gastronomeve.
Ndërkaq, për të dytën ditë me radhë, në Kosovë nuk është regjistruar asnjë viktimë nga coronavirusi.
Ndërkaq, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në 24 orët e fundit janë regjistruar 31 raste të reja me sëmundjen Covid-19.
Shifrat e rasteve të reja dalin pas testimit të 3.012 mostrave. Nga kjo shifër, del se një për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë me sëmundjen Covid-19.
Komuna me më së shumti raste është ajo e Prishtinës, përkatësisht, në kryeqytetin e Kosovës janë regjistruar nëntë raste të reja.
Gjatë 24 orëve janë shëruar edhe 95 pacientë, njoftoi IKSHPK-ja.
Që prej paraqitjes së rasteve të para me koronavirus, në mars të vitit 2020, Kosova ka regjistruar në total 107.244 raste me Covid-19. Numri i rasteve që kanë përfunduar me fatalitet është 2.239, ndërkaq, 101.374 pacientë janë shëruar.
Raste aktive janë 3.631.