Vazhdon protesta në “Trepçë”, Ibrahimi ne s’kemi të drejtë ta anulojmë konkursin
Më shumë se 100 persona kanë protestuar sërish sot para objektit të menaxhmentit të ndërmarrjes “Trepça” në Mitrovicë, duke shprehur pakënaqësitë e tyre me procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje.
Ata dhanë ultimatum që tre kërkesat e tyre kryesore, dorëheqja e menaxhmentit, bordit, si dhe anulimi i konkursit, të përmbushen deri sot në orën 14:00, në të kundërtën, paralajmëruan nga nesër protesta më masive para hyrjes së minierës në Stantërg.
Protestuesit bllokuan edhe sot për rreth gjysmë ore rrugën, duke pamundësuar kështu qarkullimin e automjeteve nga drejtimi i Prishtinës dhe Stantërgut për në qendër të qytetit të Mitrovicës, raporton “KP”.
Arsim Musa, në emër të këshillit protestues, ka bërë të ditur se në rast të mos përmbushjes së kërkesave të tyre deri në orën 14:00 të ditës së sotme, protestat do të vazhdojnë të mërkurën para objektit të minierës së “Trepçës”, në Stantërg, dhe do të jenë më masovike. “Menaxhmentit i japim sot një ultimatum, që prej tash dhe deri në orën 14:00 të ditës së sotme, që të heqin dorë nga këto pisllëqet e mbrapshta…Kërkojmë nga ta që sot deri në orën 14:00 të marrim një përgjigje që e kanë anuluar konkursin ose ka dhënë dorëheqje menaxhmenti, ose është shkarkuar bordi. Përndryshe, dita e protestës fillon nesër, nëse nuk realizohen këto kërkesa tona dhe protesta fillon tek ndërmarrja Trepça në Stantërg”, ka thënë Musa.
Ndërkaq, menaxheri i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, ka deklaruar se konkursin mund ta anulojnë vetëm institucionet më të larta, nëse konstatojnë ndonjë shkelje të procedurave gjatë procesit të pranimit.
Ndërsa, sa i përket çështjes së dorëheqjes, ai nuk e sheh si zgjidhjen më të mirë, duke thënë se dorëheqja e tij nuk zgjidhë problemet sociale në Mitrovicë. “Unë nuk kam të drejtë ta anuloj konkursin. Konkursin mund ta anuloj vetëm ndonjë institucion më i lartë se sa ne, në qoftë se konstatohet se është shkelur ndonjë procedurë ose ligj…Dorëheqjen nuk e shoh si ndonjë zgjidhje ose që i zgjidhë problemet sociale të Mitrovicës dhe as të Shalës. Jemi të vetëdijshëm që gjendja sociale në Mitrovicë është shumë e rëndë dhe kjo s’ka të bëjë fare me punën time”, theksoi Ibrahimi.
Protesta e cila ishte e qetë ka zgjatur gjysmë ore, ndërsa numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të policisë, duke përfshirë edhe njësinë për reagim të shpejtë, kanë vëzhguar gjatë gjithë kohës situatën.
Ndryshe, në procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje kanë aplikuar mbi 1 mijë e 700 persona, prej të cilëve janë pranuar 1 44, ndërsa sipas drejtorit Ibrahimi, ditët në vijim pritet të punësohen edhe rreth 100 persona tjerë./KP