Vazhdon realizimi i projekteve në Malishevë në rrugën e transitit dhe lumin Mirusha
Në Komunën e Malishevës është duke u punuar intensivisht në realizimin e dy projekteve të kapitale me rëndësi të madhe për këtë komunë, rregullimi dhe ndërtimi i rrugës së transitit për qytetin dhe rregullimi i shtratit të lumit Mirusha.
Punimet në realizimin e këtyre dy projekteve kapitale, të martën i kanë parë nga afër nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, dhe drejtori për Ekonomi dhe Financa, Valon Mazreku, të cilët janë ndarë të kënaqur me punimet e deritanishme. Aktualisht është duke u punuar në segmentin e tretë të rrugës së transitit dhe punimet janë duke shkuar sipas planifikimeve.
Rruga e transitit, është rrugë tërësisht e re dhe paralelisht është duke u bërë hapja dhe krijimi i bazës së rrugës.
Po ashtu, edhe në lumin Mirusha që kalon përgjatë qytetit, janë duke vazhduar punimet në rregullimin e shtratit të lumit. Sipas projektit, përveç shtratit të lumit do të rregullohet edhe pjesa anësore përgjatë lumit, ku do të ketë shtigje për ecje në të dy anët e lumit.
Rregullimi i shtratit të lumit ka rëndësi të madhe në parandalimin e vërshimeve, që zakonisht shkakton lumi.
/Epoka e re/