Vazhdon rënia e Januzajt, pritet të kalojë te Cadizi

01 gusht 2023 | 12:10

Dështoi te Sevilla e shumë i suksesshëm nuk u shfaq as te Istanbul Bashakshehir. Kështu Adnan Januzaj po bëhet gati për tjetër lëvizje në karrierë. Sulmuesi i krahut me shumë mundësi do të bëjë tjetër hap prapa në karrierë. Mediume të shumta në Spanjë kanë shkruar se Januzaj do të transferohet te Cadizi.

Cadizi vlerësohet prej skuadrave të vogla në La Liga. Në edicionin e kaluar luftoi për mbetje në elitën spanjolle, ndërsa përfundoi në vendin e 14-të me 42 pikë. Kishte dy pikë më shumë se Valladolidi që u largua nga La Liga. Një dekadë më parë pakkush mund të ketë menduar që Januzaj në moshën më të mirë do të bëhej gati për transferim te një ekip si Cadizi. Si supertalent, ai i ishte bashkuar Manchester Unitedit në moshën 16-vjeçare, në mars të vitit 2011. Në edicionin 2013/14 kishte luajtur 27 ndeshje në Premier Ligë për Unitedin dhe kishte shënuar katër gola. Vazhdoi të luajë me Unitedin edhe në edicionet 2014/15 e 2015/16.

Potenciali i kosovarit vlerësohej shumë i madh. E ardhmja e ndritur. Por zhvillimi i Januzajt nuk ishte ai që pritej. Kishte një periudhë jo të suksesshme huazimi te Borussia Dortmundi në edicionin 2015/16. Më pas huazim luajti te Sunderlandi në Premier Ligë.

Në verën e vitit 2017, Manchester Unitedi hoqi dorë përfundimisht nga Januzaj. Ai firmosi për pesë vjet me Real Sociedadin në La Liga të Spanjës. Te kjo skuadër ka luajtur goxha shumë, por nuk është se shkëlqeu. Sociedadi e liroi verën e kaluar dhe Januzaj firmosi për katër vjet me Sevillan. Por te kjo skuadër pati telashe të mëdha me hapësirë. Luajti vetëm dy ndeshje në La Liga. Në fillim të shkurtit u huazua në Superligën e Turqisë te skuadra Istanbul Bashakshehir.

Në 11 ndeshje kampionale shënoi dy gola dhe i kishte tri asistime. Huazimi përfundoi në verë dhe Januzaj tani zyrtarisht është pjesë e Sevillas. Por jo edhe pjesë e planeve të skuadrës për kampionatin e ardhshëm. Ai nuk u përfshi në skuadër për një turne përgatitor. Januzaj te Cadizi mund të kalojë në formë huazimi. Paga e Januzajt mund të ndahet nga Sevilla dhe Cadizi, me kusht që pas një viti 28-vjeçari të transferohet te Cadizi për 3 milionë euro.

“Nuk do të ishte ndonjë hap para, por të paktën Januzaj do të kishte hapësirën e duhur për lojë”, ka shkruar sajti belg “voetbalnieuws”.

Januzaj ka kohë që nuk po ftohet as nga Belgjika. Nuk ishte grumbulluar për Botërorin e kaluar. Ai mbetet me 15 paraqitje e një gol me përfaqësuese. Një dekadë më parë Januzajt i premtohej e ardhme e madhe te Manchester Unitedi. Aktualisht është jashtë planeve të Sevillas dhe rrugës drejt një skuadre edhe më të vogël spanjolle. Periudha e shkëlqimit si i ri tek Unitedi tashmë duket shumë e largët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt,…