Vazhdon rritja e madhe e rasteve me Covid në Kosovë
Gjithsej 2,708 raste të reja me Covid-19 janë regjistruar në Kosovë në 24 orët e fundit, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.
Sipas MSh-së në 24 orët e fundit janë testuar 10.883 qytetarë.
MSh-ja ka njoftuar se në 24 orët e fundit është regjistruar një rast i vdekjes nga Covidi.
Bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (ISHKPK), 25 për qind e rasteve të testuar kanë rezultuar pozitiv.
Një ditë më parë, më 19 janar, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 2,050 raste të infektimit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë dhënë gjithsej 4,731 doza të vaksinës kundër Covid-19.
Aktualisht në Kosovë me Covid-19 janë 9,771 raste.
Sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar përditësim të masave për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se Omicron po vazhdon të shtojë intensitetin dhe është varianti dominues në qarkullim.
“Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhëtimet, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura”, ka njoftuar IKSHPK-ja.