Vazhdon rritja e numrit të rasteve të koronavirusit në Evropë
Numri i rasteve të personave të prekur nga sëmundja Covid-19 po vazhdon të rritet në mbarë Evropën. Kjo rritje erdhi pas lehtësimit të masave kufizuese nga qeveritë gjatë verës.
Spanja është duke u përballur me një valë të re të përhapjes së infeksioneve dhe deri më tani ka regjistruar më shumë se 700 000 të prekur, shkruan “BBC”.
Megjithatë, vendi me më së shumti raste në Evropë është Rusia me mbi 1.1 milion persona të infektuar. Të hënën, autoritetet e këtij vendi i raportuan 8 135 raste të reja për 24 orët e kaluara, krahasuar me 7 867 raste që u shënuan të dielën. Zyrtarisht, numri i viktimave është rreth 20 000, por disa dyshojnë se qeveria nuk i ka raportuar të gjitha rastet.
Zyrtarët në Ukrainën fqinje ndërkohë raportuan të hënën se vendi tashmë ka më shumë se 200 000 të infektuar me koronavirus.
Në Gjermani, Instituti “Robert Koch” ka thënë se janë konfirmuar 1 192 raste të reja, krahasuar me 1 411 që u shënuan të dielën. Disa i kanë fajësuar personat e kthyer nga pushimet për rritjen e numrit të rasteve.
Të premten, autoritetet gjermane i shtuan Republikën Çeke dhe Luksemburgun në të ashtuquajturën “listë e kuqe” për kufizime të udhëtimeve.
Në disa raste, në këtë listë futet territori i plotë i një shteti të caktuar, por në raste të tjera futen vetëm disa rajone të atij vendi ku ka më shumë raste.