Vazhdon seanca pa praninë e Thaçit, fillon dëshminë dëshmitari i 122-të në gjykimin ndaj liderëve të UÇK-së

18 shkurt 2025 | 11:37

Pa praninë e Hashim Thaçit është duke vazhduar seanca gjyqësore në Hagë me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit të 122-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin W04491 në këtë proces.

“Thaçi dhe doktori e kanë nënshkruar lejen për të vijuar me procesin gjyqësor”, njoftoi Luka Mishetiq, i cili përfaqëson Hashim Thaçin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati shtoi se nuk e pati mundësinë që të flasë me Thaçin, por që iu kumtua kjo leje e Thaçit dhe doktorit.

Ndryshe, dëshmitari i 122-të është me masa mbrojtëse dhe pyetjet për të i ka filluar prokurori James Pace.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë.

Ai shtoi se Prokuroria ka parashtruar se i duhen një orë e gjysmë për pyetje. Ndërsa, ekipet mbrojtëse kanë pashtruar se të gjitha së bashku kanë kërkuar katër orë e gjysmë për kundërpyetje.

Smith gjithashtu theksoi se sapo të përfundojë dëshminë ky dëshmitar, do të mbahet një konferencë për ecurinë e çështjes lidhur me disa aspekte që kanë dalë, duke përfshirë edhe nxjerrjen e materialeve për palët.

ZPS, përmes prokurorit James Pace ka thënë se dëshmitari W04491 i cili është i 122-i me radhë, ishte arrestuar dhe rrahur nga anëtarët e UÇK-së, të cilët pretendohet se e kanë akuzuar se ishte spiun.

Pace tha se dëshmitari është arrestuar së bashku me një person tjetër dhe është mbajtur i ndaluar në dy vende të ndryshme

“Dëshmitari W04491 dhe një person tjetër janë arrestuar nga anëtarë të UÇK-së në korrik të 1998 dhe janë mbajtur në dy vende dhe i kanë akuzuar që ishin spiunë”, tha Pace.

Ai shtoi se veç kësaj, dëshmitari do të japë dëshmi edhe lidhur me ndalimin dhe keqtrajtimin e një personi tjetër.

“Dëshmitari W04491 do të japë dëshmi lidhur me ndalimin dhe keqtrajtimin e një personi të tretë në vendin e dytë ku është mbajtur i ndaluar dëshmitari W04491”, tha prokurori.

Si rrjedhojë, për pyetjet e tjera, seanca kaloi në sesion privat për publikun për të ruajtur identitetin e dëshmitarit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka dorëzuar padi ndaj…