Vazhdon shtrenjtimi i produkteve ushqimore në Kosovë, gjatë tetorit u rritën për 5.7 për qind

11 nëntor 2021 | 14:16

Muajve të fundit është vërejtur një rritje e lartë e çmimeve për produktet bazë për konsum. Ngritjen e këtyre çmimeve e ka konfirmuar edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te buka, mishi, qumështi dhe druve.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në muajin tetor ka arritur në 5.7 për qind. “Bukë dhe drithëra me 5.7 për qind, mish me 2.4 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 6.2 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 27.9 për qind, kafe, çaj dhe kakao me 4.1 për qind, pije alkoolike me 4.5 për qind; duhan me 2.8 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 8.1 për qind, produkte farmaceutike me 2.3 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 35.5 për qind, shërbime për transport me 2.3 për qind dhe shërbime hoteliere me 2.7 për qind”, thuhet në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), tetor 2021”.

Sipas ASK-së inflacioni mujor i matur nga IHÇK ishte 1 për qind në muajin tetor 2021, krahasuar me muajin paraprak.

“Rritje të çmimeve të konsumit ka pasur në bukë dhe drithëra me 3.9 për qind, mish me 0.4 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 1.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 2.9 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, kafe, çaj dhe kakao me 3 për qind, gaz me 5.1 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 5.8 për qind, blerje e automjeteve me 3.2 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 6.2 për qind”, thuhet në raport.

ASK-ja po ashtu, njofton se norma vjetore e inflacionit në muajin shtator ka arritur në 4.9 për qind.

Kjo rritje e çmimeve ishte vërejtur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Adnan Januzaj ka rënë në radarin e klubit të njohur…