Vazhdon “telenovela” Ramos – Lovren
Vazhdon “lufta” mes Sergio Ramosit dhe Dejan Lovrenit. Palët janë përfshirë në një debat mes tyre, ndërsa tashmë ka ardhur reagimi i kapitenit të Realit të Madridit. Pa fjalë, pa ofendime, mjafton vetëm shtypja e një butoni në rrjetet sociale për të bërë “thumbimin” e radhës.
Ramosi i ka dhënë një “like” një fotoje ku shfaqet duke ngritur kupën e Ligës së Kampionëve dhe para tij ndodhet kroati në lot. Përplasja nisi në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin e kaluar në mes Liverpoolit dhe Realit. Spanjollët triumfuan, duke dërguar Ligën e Kampionëve për herë të 13 në Madrid, ndërsa Ramos u kritikua pafund për dëmtimet ndaj Salahut dhe portierit Karius.
“Sergio Ramos është me fat që luan me Realin. Ai bën shumë gabime, por askush nuk ia vë re. Varane është më i mirë se ai”, komentonte mbrojtësi i Liverpoolit, ndërsa spanjolli reagoi para ndeshjes Kroaci-Spanjë. “Ka shumë njerëz rreth e rrotull, të cilët më kritikojnë nga inati dhe zilia”. Kroacia fitoi përballje Spanjës me rezultatin 3-2 dhe Lovren nuk u përmbajt.
“Spanjollët janë një tufë femrash të llastuara. Ramos? I dhashë një goditje të madhe, le të flasë akoma…”, ishte komenti i Lovren, ndërsa tashmë ka ardhur reagimi ndryshe i spanjollit. Ai në festë dhe “armiku” kroat në lot. Ka më bukur? Një “më pëlqen” mjafton për t’i kujtuar Lovrenit një natë të trishtë të karrierës së tij.