Vazhdon tradita e ndryshimit të trajnerëve

19 dhjetor 2017 | 12:17

12 ndryshime të trajnerëve janë bërë vetëm në sezonin vjeshtor në Vala Superligë, kurse deri në fund të këtij kampionati pritet që ky numër të rritet edhe më shumë. Analisti i futbollit, Ardian Llumnica, ka thënë për “Epokën e re” se këto ndryshime i ka vlerësuar joprofesionale, kurse mendon se, po të ishin kontratat e vërtetuara në Federatë, kjo dukuri do të ishte zvogëluar shumë.

Në futbollin e Kosovës është bërë traditë që të bëhen ndryshime të shpeshta në shtatë teknike. Në 12 skuadrat e Vala Superligës së Kosovës në futboll janë bërë 12 ndryshime trajnerësh, ku disa skuadra kanë bërë nga dy ndryshime vetëm në sezonin vjeshtor, ndërsa janë vetëm katër skuadra që vazhdojnë t’u besojnë trajnerëve që janë nga fillimi i kampionatit.

Trajneri i futbollit dhe analisti sportiv Ardian Llumnica ka thënë të hënën për gazetë se liga e Kosovës është e vogël që të ketë ndërrime kaq të shumta dhe, sipas tij, sikurse kontratat të ishin të vërtetuara në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), kjo dukuri do të ishte zvogëluar.

“Jemi dëshmitarë të shpeshtë për ndërrimin e trajnerëve në klubet tona, parimisht jemi ligë e vogël që të ketë kaq shumë ndërrime, por në anën tjetër kjo është zeje që priten ndërrimet në çdo moment. Kontratat e shkurtra, mosplanifikimet afatmesme të klubeve dhe epshi i madh i trajnerëve që vetëm dëshirojnë ta udhëheqin një skuadër dhe nuk i mendojnë gjerat mirë në klub, bënë që të kemi ndërrime të shpeshta. Sikur të kishim kontrata dyvjeçare, të vërtetuara në Federatë, klubet do të ishin më të matura për largime, por edhe trajnerët më të matur për dorëheqje”, ka thënë Llumnica.

“Është mirë që ndërrimet të kenë efekt dhe, si të tilla, klubi t’i arrijë synimet me ndërrimin e trajnerit eventual i cili do që të jetë, por praktika na ka dëshmuar që rrallë kanë pasur efekt se, fundja, edhe këtu, sikur te cilësia e futbollistëve, nuk kemi ndonjë dallim aq të madh në mes të trajnerëve”, ka deklaruar ai.

Më pas analisti Lluminca ka thënë se ardhja e trajnerëve nga futbolli i Shqipërisë dhe i Maqedonisë e kanë zbukuruar futbollin e Kosovës.

“Ardhja e trajnerëve nga Shqipëria e Maqedonia i ka dhënë hijeshi dhe cilësi futbollit tonë, madje shumë nga ta po e dëshmojnë veten dhe është alarm i mirë për trajnerët e Kosovës që kjo zeje don punë, jo marketing. Zeka, Josa, Shkëmbi, Beqiri janë disa nga emrat që në një periudhë të shkurtër dëshmuan punën dhe qasjen më ndryshe në punë, pa ‘Facebook’ dhe pa emisione”, ka përfunduar Llumnica.

Dy ndryshimet e fundit në skuadrat elitare janë ajo e Ismet Munishit, i cili ndërpreu bashkëpunimin me Vëllaznimin për ta marrë drejtimin e skuadrës së Feronikelit dhe largimi i Bylbyl Sokolit nga Vllaznia e Pozharanit. Pritet që e ardhmja e “Profës” të jetë të skuadra e Ferizajt që bënë gara në Ligën e Parë.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“KEDS Sh. A”, me anë të një komunikate për medie…