Vdekja e 18 vjeçarit në Podujevë, policia tha se u ther me thikë, QKUK e mohon
Inspektorati Policor ka nisur hetimet pas raportimeve për shpërputhje të raporteve të Policisë së Kosovës, për plagët e 18-vjeçarit tashmë. Kjo, pasi fillimisht ishte raportuar se ai ishte therur me thikë nga dy të arrestuarit, por kjo është mohuar nga disa palë. RTV Dukagjini ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, por të njëjtit nuk kanë ofruar asnjë raport lidhur me këtë çështje.
Dilemat e ngritura për vrasjen e 18- vjeçarit, konkretisht, raportimit fillestar të policisë për rrethanat e rastit, tashmë janë duke u hetuar.
Kjo, pasi Policia e Kosovës, në raportin e parë për rastin, kishte raportuar se viktima ishte therur me thikë nga dy persona, dhe se në vendin e ngjarjes kishin konfiskuar një thikë dhe një veturë.
Por, pamjet e kamerës së sigurisë tregojnë krejt diçka tjetër.
Aty dëshmohet fillimisht goditja me veturë dhe pastaj rrahja me goditje me shkelma e pastaj goditje me shufër bejsbolli në kokë.
Therrjen me thikë e demanton edhe raporti i Prokurorisë i publikuar pas vdekjes së 18-vjeçarit, ku thuhet se pas përleshjes ai është me shkop dhe ka marrë plagë në kokë, me ç’rast vdiq në mjekim intensive në QKUK më 19 janar.
RTV Dukagjini ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës për shpërputhjen e raporteve, por nuk kemi pranuar përgjigje deri në momentet e shkrimit të këtij teksti, pavarësisht zotimeve se do të ketë një raport sqarues për rrethanat.
Heshtjen e kanë zgjedhur edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Nga zyra për medie e kanë konfirmuar që pyetjet janë duke i trajtuar, por ende nuk kanë kthyer përgjigje.
I vetmi institucion që ka ndërmarrë hapa është Inspektorati Policor i Kosovës, e kjo është konfirmuar për RTV Dukagjini.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin përveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Se 18-vjeçari nuk ka pasur plagë të therjes me thikë e konfirmojnë edhe nga Qendra Klinike Universitare.
Shefi i repartit Intensiv, ku po trajtohej Lulzimi, tregon se pacienti është pranuar pas intervenimit kirurgjik për shkak të lëndimeve në kokë dhe gjakderdhjeve në indin e trurit.