Vdekja e 26-vjeçarit, Hoti: Të jemi të kujdesshëm në kërkim të përgjigjes se si ndodhi rasti
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka ngushëlluar familjen Musliu nga Gjilani për vdekjen tragjike të 26-vjeçarit, në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, derisa ishte duke qëndruar në karantinë.
Hoti ka thënë se në këto momente duhet të jenë të kujdesshëm dhe të durueshëm në kërkim të përgjigjes se si ka ndodhur vdekja e 26-vjeçarit.
“Përfundimi tragjik i një të riu, i sapo kthyer nga studimet në Gjermani, është dhembje e madhe për familjen dhe për secilin prej nesh. Si qytetar dhe si prind, i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit, atyre që e kanë njohur dhe qytetarëve të Gjilanit. Në këto momente duhet të jemi të kujdesshëm e të durueshëm në kërkim të përgjigjes se si na ndodhi e gjithë kjo. Karantinimi është përdorur dhe po përdoret për të parandaluar shpërndarjen e virusit. Por, pa dashur të paragjykoj asgjë, kjo nuk përligj gabimet e mundshme, neglizhencën e jo profesionalizmin”.
“Të gjithë jemi të zemëruar, por zemërimi nuk na ndihmon ta gjejmë të vërtetën. Na duhet durim dhe veprim profesional e gjithëpërfshirës i organeve të ligjit për të zbardhur rastin dhe për të qenë të përgjegjshëm para familjes së të ndjerit”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”. /Epoka e re/ L.G/