Vdekja e avokatit në Prishtinë, rasti po trajtohet si vdekje e dyshimtë
Avokati nga Prishtina, Ekrem Smajli ka humbur jetën në rrethana akoma të paqarta.
Vdekja e tij është duke u cilësuar e dyshimtë dhe trupit të pajetë i është bërë obduksioni.
Për vdekjen e tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit, ndërsa tashmë janë zbuluar edhe detajet.
Siç mëson Sinjali, Policia kishte intervenuar në banesën e tij në rrugën “Fehmi Agani” pasi ishte marrë informacioni për një rast të vdekjes.
Një njësi policore doli në vendin e ngjarjes, por familja s’i ka lejuar policët të futen në banesë, me arsyetimin se kanë kryer të gjitha procedurat e nevojshme.
Përballë kësaj situate, kanë asistuar edhe disa njësi policore dhe kanë arritur të hyjnë në banesë, por aty nuk është gjetur kufoma.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se njësia reaguese dhe njësitë tjera e kanë gjetur trupin e pajetë në xhaminë në Arbëri.
Nga aty, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Ndryshe, avokati Smajli është marrë me çështjet civile e administrative.