Vdekja e kadetit të policisë, Apeli vërteton dënimin prej 15 vite burgim ndaj dy të akuzuarve

30 korrik 2023 | 11:35

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelores në Pejë me të cilin Arton dhe Nezir Duraku ishin dënuar me 15 vite burgim, pasi pranuan fajësinë se si pasojë e aksidentit të trafikut që shkaktuan, vdiq i riu F.Sh., dhe se të njëjtit nuk i ofruan ndihmë pas aksidentit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Arton dhe Nezir Duraku, duke i dënuar me 15 vite burgim (së bashku), pasi kishin pranuar fajësinë se si pasojë e aksidentit të trafikut që shkaktuan, vdiq i riu F.Sh., dhe se të njëjtit nuk i ofruan ndihmë pas aksidentit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishin parashtruar Prokuroria Themelore në Pejë, mbrojtësit të të akuzuarve Arton Duaku avokati Kadri Prekaj, dhe të akuzuarit Nezir Duraku avokatit Haxhi Sinani si dhe përfaqësuesi i të dëmtuarve avokati Sali Mekaj, të cilat ankesa janë shqyrtuan më 14 korrik 2023.

Andaj, përmes vendimit të marrë më 14 korrik 2023, Apeli ka refuzuar si të pa bazuara të njëjtat ndërsa, aktgjykimin e Gjykatës Themelore- DKR në Pejë të datës 19 prill 2023 e ka vërtetuar.

“Refuzohen si të pa bazuara ankesat e Prokurorisë Themelore- DKR në Pejë, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të akuzuarve Arton Duraku dhe Nezir Duraku, ndërsa, aktgjykimi i Gjykatës Themelore- DKR në Pejë i datës 19.04. 2023 vërtetohet”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e kësaj çështje penalo-juridike, studioi aktgjykimin e ankimuar në pajtim me dispozitën e nenit 394 të KPPK-së, dhe pasi vlerësoi pretendimet e cekura në ankesa gjeti se të njëjtat janë të pabazuara.

Në arsyetim thuhet se, Prokuroria Themelore në Pejë, ka bërë ankesë ku ndër të tjerash kishte kërkuar që ndaj të akuzuarit të parë Arton Duraku të shqiptohet edhe dënim plotësues.

Mirëpo, sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet e cekura nuk qëndrojnë, ngase në rastin konkret i akuzuari i parë Arton Duraku, nuk posedon fare patente shofer, për çka edhe me te drejtë gjykata e shkalles së parë nuk ka shqiptuar dënimin plotësues në fjalë, kurse sa i përket të akuzuarit të dytë Nezir Duraku, i cili është shpallur fajtor për vepër penale mosdhënia e ndihmës nga neni 188 par. 4 te KPRK-së, vepra penale në fjalë nuk përfshihet në kapitullin e veprave penale kundër trafikut, prandaj, edhe në këtë drejtim gjykata e shkalles së parë me të drejtë nuk i ka shqiptuar dënimin plotësues.

Ndërsa, përfaqësuesi i autorizuar të palës së dëmtuar në ankesë, kishte kërkuar që të akuzuarve të ju shqiptohen dënime më të ashpra, mirëpo sipas Gjykatës së Apelit gjykata e shkallës së parë, drejtë ka zbatuar dispozitat e nenit 322 të KPPRK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2023, nga Prokuroria Themelore e Pejës, thuhet se i pandehuri Arton Duraku, më 21 nëntor 2022, në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, duke shkel ligjin mbi trafikun publik i shkakton vdekjen, tani të ndjerit F.Sh.

Sipas aktakuzës, derisa i pandehuri, pa patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderaj – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri F.Sh., ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin “Opel” në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë.

Sipas akuzës, me këtë thuhet se i pandehuri Arton Duraku ka kryer vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

Ndërkaq, tutje në aktakuzë thuhet se, në vendin dhe kohën e lartcekur, i pandehuri Arton, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës F.Sh, ku pas aksidentit të përshkruar, ai e ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.

Dhe me këtë thuhet se i pandehuri ka Arton Duraku ka kryer edhe vepër penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luis Suarez është marrë vesh me ekipin brazilian, Gremio që…