Vdekja e një heroi
Aldo Cazzullo
Natyrisht, Navalny nuk ishte një liberal. Por ai jetoi dhe vdiq si hero. U hodh në fushëbetejë, sepse donte të jetonte e të luftonte në vendlindje. Ekziston një mënyrë për të mos bërë që sakrifica e tij të shkojë dëm: të kuptojmë se nëse Putini fiton, ne të gjithë do të humbasim
Tani do të përpiqen ta njollosin, tashmë po e bëjnë, dezinformimi rus është shumë i organizuar dhe i artikuluar. Do të thonë se ishte shovinist, jo shenjt. Një ekstremist, një i çmendur, i cili kishte edhe skeletet e veta në dollap, në fund të fundit të gjithë i kanë, apo jo? Por mos u mashtroni.
Alexei Anatolevich Navalny është një hero.
Ai jetoi si hero dhe vdiq si hero.
Të shumtë janë ata që thonë se janë gati të vdesin për vendin e tyre; dhe deri në këtë pikë është retorikë. Por kur dikush vdes vërtet, në burgjet siberiane të tiranit, nuk është retorikë; është mish dhe gjak. Shumëkush i mban kundërshtarët në burg, ka më shumë diktatura në botë se demokraci. Por pak diktatorë bëjnë luftëra agresioni, si ato të nisura nga Putini në Gjeorgji dhe Krime, pak kanë masakruar sistematikisht popullsi të tëra siç bëri Putini me çeçenët.
Por çeçenët janë myslimanë dhe Gjeorgjia është shumë larg. Pastaj Putini sulmoi Ukrainën, në kufijtë e Evropës, duke shkaktuar një përshkallëzim dramatik të një konflikti që ekzistonte tashmë. Për Navalnyn, ai tha: “Po ta kisha helmuar unë, ai do të kishte vdekur”. Tani është i kënaqur.
Le të jemi të qartë: Navalny ishte një nacionalist rus. Ai nuk ishte liberal, aq më pak një i majtë. Ai ishte një patriot që, ndryshe nga krimineli i luftës Putin, donte të mirën e vendit të tij, për të cilin vuri në rrezik pasuritë, të dashurit, vetë jetën e tij.
Navalny kishte kaluar më shumë se një vit në arrest shtëpie. U helmua, përfundoi në koma, rrezikoi të vdiste. Gjermania e mirëpriti. Por Navalny nuk donte të jetonte në mërgim; aq më pak të bëhej peng në konfliktin mes Putinit dhe Angela Merkelit. Navalny donte të luftonte dhe, nëse ishte e nevojshme, të vdiste në shtëpi. Kështu ai u kthye në Moskë, ku e dinte se do e prisnin prangat dhe qelia, duke treguar një kurajo fizike të kohërave të tjera, të denjë për një hero të Rilindjes italiane. Sidoqoftë, Garibaldi ishte njeriu më i famshëm në botë në kohën e tij. Fatkeqësisht nuk mund të themi të njëjtën gjë për Navalnyn. Arrestimi, persekutimi i bashkëpunëtorëve të tij – të gjithë në internim apo burg -, represioni brutal i demonstruesve që dolën në rrugë në mbrojtje të tij, nuk kanë ngjallur në opinionin publik botëror emocionin që meritojnë.
Sigurisht, shumë nga idetë e Navalnyt ishin të diskutueshme, siç doli nga intervista me Paolo Valentinon në Corriere della Sera, tetë vjet më parë. Në sytë e tij Enzo Bettiza kishte parë atë “dritë çmendurie”, që sipas tij shkëlqeu “në vështrimin e rusëve të bardhë”. Por Navalny nuk është plotësisht i izoluar. Herën e fundit që ai mundi të kandidojë në zgjedhje, kur kandidoi për kryetar bashkie të Moskës në vitin 2013, mori 27%. Ankesat e tij për korrupsionin e regjimit u vërtetuan nga faktet.
Diktaturat zakonisht bien kur humbasin luftërat. Të mundësh Rusinë është shumë e vështirë, ndoshta e pamundur. Duhet hapur një negociatë, duhet gjetur një kompromis. Por kjo luftë nuk mund të mbyllet pa gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që garanton sigurinë e kufijve lindorë të Evropës. Është një gabim fatal të mos kuptojmë se nëse Putini fiton, humbim të gjithë, nëse diktatori ka një fushë të hapur, secili prej nesh është në rrezik.
Nëse e kuptojmë këtë, sakrifica e Navalnyt nuk do të ketë qenë e kotë; për popullin e tij dhe për botën. / Corriere della Sera