Vdekja e të moshuarës nga frika e sulmit të qenve endacakë, Bajrami: Është koha e fundit për të ndërmarrë masa

26 shkurt 2025 | 21:26

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Podujevë, ku një grua humbi jetën si pasojë e sulmit në zemër nga frika e sulmit nga qentë endacakë.

Në një postim në Facebook, Bajrami ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet për të adresuar këtë problem.

Deputetja e LDK-së i ka bërë thirrje Kryeministrit në detyrë që të thërrasë urgjentisht një takim me Asociacionin e Komunave, ndërsa Qeverisë në detyrë i ka kërkuar të ndajë fonde dhe të caktojë detyra specifike për institucionet përgjegjëse.

Postimi i plotë:

Thirrje për veprim urgjent kundër qenve endacakë
Sot, në Podujevë ka humbur jetën një grua, pas një sulmi brutal nga qentë endacakë – tragjedi kjo që nuk duhet të ndodhë kurrë më!
Është turp për të gjithë ne, për të gjitha institucionet; është paaftësi që 26 vjet pas lufte të na vdesin qytetarët nga qentë endacakë.
Është koha e fundit për të vepruar, për të ndërmarrë masa. Lini strategjitë, lini tenderët, sepse deri më tani të gjitha përpjekjet e fragmentuara nëpër komuna kanë dështuar.
Kryeministri në detyrë duhet të ftojë urgjentisht në takim Asociacionin e Komunave, Qeveria në detyrë duhet të ndajë fonde, të caktojë detyra dhe përgjegjësi për institucionet përkatëse, të caktoj afate kohore që trajtimi i qenve endacakë të fillojë mënjëherë, në nivel vendi.
Po e përsëris: ky problem duhet të adresohet me urgjencë!
Tragjeditë si kjo e sotmja nuk duhet të kalojnë pa reagim institucional, dhe nuk po flas për deklarata me shkrim, por për veprime konkrete. Në fund të fundit, çfarë na duhen institucionet nëse nuk mund të ofrojnë siguri për qytetarët jashtë oborrit të tyre?
Ngushëllime familjes nga Podujeva!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e ka hapur rastin si “hetim mbi vdekjen” për…