“Vdekja e zezë” mund ta ketë shkatërruar Evropën rreth 5000 vjet më parë
Sipas një studimi të ri, pothuajse një në pesë banorë të Evropës në epokën neolitike kaloi tmerrin epidemisë së “Vdekjes së Zezë”, rreth 5000 vjet më parë. Një kalim në bujqësi dhe peshkim gjatë epokës së neolitit shënoi rritje të popullsisë dhe formimin e vendbanimeve më të gjera e të përhershme.
Megjithatë, ky bum u pasua nga një rënie e papritur e popullsisë në Evropën Veriore rreth 5300–4900 vjet më parë. Studiuesit kanë debatuar gjatë për shkakun themelor të këtij fenomeni. Gjetjet e fundit sugjerojnë se një epidemi mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm.
Analizat e ADN-së të 108 mbetjeve skeletore nga periudha neolitike, të zbuluara në Skandinavi, mund të vërtetojnë këtë hipotezë. Shkencëtari Frederik Valeur Seersholm dhe ekipi i tij në Universitetin e Kopenhagës, kryen testime gjenetike dhe zbuluan praninë e bakterit Yersinia pestis në 18 nga ekzemplarët.
Ky mikroorganizëm besohet të ketë shkaktuar epidemi shumë vdekjeprurëse në të kaluarën, siç është “Vdekja e Zezë” famëkeqe, që shkatërroi popullsinë e Evropës gjatë Mesjetës.
Analizat e fundit të ADN-së së lashtë nga nëntë vende varrimi skandinave synonin të hetonin shpeshtësinë e infeksioneve të murtajës. Prania e llojeve të ndryshme të kësaj sëmundje në breza dhe vende të ndryshme mbështet faktin se infeksionet e murtajës ishin të përsëritura dhe jo si rezultat i një epidemie të vetme.