‘Vdekja ishte paqe për mua atëherë’, i mbijetuari i dhunës seksuale: Ikja natën prej shtëpisë, qaja dhe kthehesha

14 prill 2025 | 12:24

Ramadan Nishori, i mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka rrëfyer publikisht për vuajtjet e tij.

Ai ishte i burgosur nga regjimi serb në disa burgje. Në fillim të majit të vitit 1999, ai  ka thënë se është transferuar në burgun e Dubravës, pasi kishte kaluar në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit.

“Përjetova një masakër. Për mua në atë kohë vdekja ishte paqe”, ka thënë Nishori.

Pas lirimit nga burgu më 16 mars 2001 me ndihmën e Kryqit të Kuq, ai ka thënë se është martuar, gjë që e ka bërë më optimist për jetën, por ta linte të kaluarën pas, por ka shtuar se një gjë e tillë ishte “e pamundur”.

“Në atë kohë jetoja me prindërit edhe vëllezërit shumë dhe pasi u martova, i thashë vetes, do ta lë të kaluarën mbrapa dhe do ta fillojë një jetë të re, por kjo ishte e pamundur. Çdo natë mu kujtojke ajo çka më ka ndodhë. Jetoja me frikë se mos po e heton dikush për rastin që ka ndodhë”, ka thënë ai.

Natën, ai ka thënë se dilte qante dhe kthehej prapë në shtëpi.

“Thosha unë jam burrë dhe për këtë që kam përjetuar nuk duhet me ditë kurrkush, se thosha, nënçmohem, më bullizojnë. Isha shumë i mbyllur në vete. Më vinte me qajtë, me bërtitë. Ikja natën prej shtëpisë. Dilsha. Qajsha, u çfryjsha, e kthehesha në shtëpi”, ka thënë ai.

Më tutje, Nishori ka treguar se si një natë kishte vendosur t’i tregonte bashkëshortes për torturat e tij.

“Më tha po të mundon diçka. Pa menduar shumë, i tregova. Thashë unë kur jam arrestuar në stacionin e policisë në Drenas më ka ndodhë fillimisht. Ajo heshti. Ia nisi me kajtë ashtu në heshtje dhe nuk biseduam më kurrgjë. Nesër në mëngjes, po më thotë ‘Dan, luftë ka qenë dhe çdonjërit ka mund t’i ndodhë kjo. Deri sot e ke pasë përkrahjen tem, e sot e tutje ke me pasë edhe më shumë’”, ka thënë Nishori.

Me bashkëshorten, ai ka diskutuar se si t’i tregohej ngjarje rëndë edhe vajzës së tyre.

“Të nesërmen e thirra, i thashë me dalë me e pi një kafe. Flutura është shtylla e shtëpisë sonë. Kemi dalë për kafe, jemi ulë dhe me fjalë nuk kam mund t’i them. Ia kam qitë vendimin të cilin komisioni qeveritar ma ka njoftuar me statusin. Ia qita përpara. Vajza si e pa, më tha ‘babush unë për këtë e di që 3-4 vjet’. U çua më kapi për qafe e më tha ‘çdoherë më ke në krah’. Në atë moment u ndjeva shumë i çliruar. U ndjeva sikur prej vetes me mu heq 500 kilogramë”, ka thënë ai.

Më pas, Nishori ka thënë se u kishte treguar edhe djemve, dhe pas kësaj, ka theksuar se ndihej “baba i vërtetë”.

Nga Fushë Kosova, ku ka thënë se jetonte me qira pas lirimit nga burgu, Ramadan Nishori, ka deklaruar se për një kohë kishte vendosur të shkonte për të jetuar në Malin e Zi, pasi disa herë kishte dashur të paraqitej në organizatën që i mbron të mbijetuarit e dhunës seksuale, por s’kishte mundur të futej brenda.

“Kam shkuar dhjetëra herë, por kurrqysh nuk mujsha me e marrë vendimin me hy brenda. Vendosa, thashë më mirë me ikë prej Kosovës krejt. E mora familjen dhe shkova në Malin e Zi. Por edhe atje, shumë më pengojke gjuha. U kthyem prapë në Kosovë”, ka thënë Nishori, duke bërë me dije se për rrëfimin e tij është motivuar nga Vajsfije Krasniqi.

“Një natë, e pashë në një intervistë ishte Vasfije Krasniqi, e cila për mua ishte heroinë e gjallë. I marrsha shumë lakmi. Thojsha që kjo po folë, po çfryhet. E kështu, i kam shkruar Vasfijes. Faleminderit shumë prej saj, ma ka kthyer menjëherë”, ka thënë Nishori.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Listës Serbe nuk janë deklaruar publikisht se a…