Vdekjet dhe lëndimet në vendin e punës, shqetësuese, pezullohen mbi 100 vendpunishte

10 maj 2019 | 11:06

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se situata e krijuar në sektorin e ndërtimit të lartë, me një numër të madh të lëndimeve e, fatkeqësisht, edhe të vdekjeve në vendin e punës, përbën shqetësim për ministrin që drejton.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se MPMS-ja përball kësaj situate nuk ka qëndruar duarkryq.

“Me përgjegjësi të plotë them se nuk kemi qëndruar duarkryq përballë kësaj situate. Kemi shtuar përpjekjet për rritje të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës nëpërmjet ndërmarrjes së një sërë veprimesh konkrete. Ndër veprimet e para ka qenë krijimi i një baze të re ligjore në fushën e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, nëpërmjet transpozimit të një sërë direktivave të BE-së, nëpërmjet hartimit të Projektligjit të ri të punës i cili është shqyrtuar në lexim të parë në Kuvend, hartimit të Projektligjit për Pushimin e Lehonisë dhe Prindëror, si dhe plotësimndryshimit të Ligjit për Inspektoratin e Punës, i cili ka kaluar në lexim të parë në Kuvend. Krahas këtyre ndryshimeve ligjore, në vitin e kaluar, bashkë me Inspektoratin e Punës, ndërmorëm një aksion që konsistoi me shtimin e inspektimeve në sektorin e ndërtimit të lartë, aty ku numri i aksidenteve dhe lëndimeve është më i madh”, ka thënë Reçica.

Ai ka theksuar se në kuadër të këtij plani në nëntor të vitit të kaluar zbarkuan në Prishtinë pothuajse tërë kontingjentin e inspektorëve, me qëllim të sigurimit për respektim të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, të përcaktuara me legjislacionin aktual.

“Gjatë këtij aksioni u është pezulluar puna mbi 100 vendpunishteve të cilat nuk kanë respektuar masat minimale të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe brenda një kohe të shkurtër, shumica prej tyre kanë arritur t’i plotësojnë masat e sigurisë dhe shëndetit në punë. Ky aksion që ne e kemi ndërmarrë ka bërë që në sektorin e ndërtimtarisë në Prishtinë të ndërrojë pamja dhe pothuajse në secilën vendpunishte të respektohen masat për siguri dhe shëndet në punë. Ky aksion ka vazhduar dhe është duke u realizuar edhe në komuna të tjera”, është shprehur ministri Reçica.

Ai ka shtuar se krahas këtij aksioni, edhe vitin e kaluar dhe para pak ditësh kanë lansuar fushata vetëdijësuese me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për respektim të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.

“E kam potencuar disa herë dhe po e theksoj edhe tani, do të jemi të pakompromis ndaj atyre që nuk respektojnë masat e sigurisë dhe të shëndetit të përcaktuara me ligjet në fuqi, andaj ftoj punëdhënësit, ashtu edhe punëmarrësit, t’i respektojnë këto masa në mënyrë që t’i shmangim lëndimet dhe vdekjet në vendin e punës”, është shprehur Skender Reçica, ministër Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majit, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, ka kërkuar nga institucionet rritje të sigurisë dhe sigurimit shëndetësor në punë.

Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nexhat Llumnica, ka thënë se punëtorët po vdesin çdo ditë duke mos guxuar ta ngrehin zërin për padrejtësitë që u bëhen. “Çdo ditë punëtorët lëndohen, madje edhe vdesin në vendin e punës. Nuk po flasim për kontratat e tyre të punës, sepse ato nuk ekzistojnë, sidomos në sektorin privat. Jam i bindur se ata nuk guxojnë as t’i shprehin pakënaqësitë, sepse ky shtet është kapur nga politika dhe partitë politike”, ka thënë Llumnica.

Lidhur me shkeljet e të drejtave të punëtorëve, ditët e fundit Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur një tryezë diskutimi, në të cilën ka prezantuar raportin “Të drejtat në letër”.

Konkurse të manipuluara, procedura gjyqësore të papërfunduara që lidhen me punën, punë 24 orë pa ndërprerë, mospagesë të kontributeve pensionale nga punëdhënësi, mospagesë të pagave deri në 8 muaj, privim nga pushimi vjetor dhe ai mjekësor, mospagesë për punën jashtë orarit të rregullt etj., janë disa prej shumë padrejtësive dhe shkeljeve me të cilat përballen punëtorët në Kosovë.

Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti katër punëtorë kanë humbur jetën dhe mbi 25 të tjerë kanë pësuar lëndime në vendet e tyre të punës.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja e njohur Roby Rose ka bërë me dije se…